Lubonja kërkon falje

Ditë më parë, në një intervistë, Lubonja e kishte krahasuar fjalimin e Ramës për armët kimike me fjalimet e Hitlerit. Por një javë më pas, ai bëri një kthim. E pranoi se e ka tepruar me krahasimin e bërë dhe u kërkoi falje mbështetësve të Edi Ramës.

Lajme

21/11/2013 11:33

Analisti shqiptar, Fatos Lubonja u ka kërkuar ndjesë mbështetësve të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ditë më parë, në një intervistë, Lubonja e kishte krahasuar fjalimin e Ramës për armët kimike me fjalimet e Hitlerit.

Por një javë më pas, ai bëri një kthim. E pranoi se e ka tepruar me krahasimin e bërë.

“Para disa ditësh u botua në  ‘Mapo’ një intervistë e imja dhënë Aleksandra Bogdanit, me titull ‘Protesta si tragjeditë greke, ku pesha e gjëmës tronditi thellë të keqen brenda nesh’ dhe me titull on line: ‘Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar Rama: mallkime në vend të ndjesës’.”

“Më la shije të keqe fakti që ndonjë media online e mori dhe e sintetizoi duke i vënë titullin/lajm: ‘Lubonja e krahason fjalimin e Ramës me atë të Hitlerit’. Dhe u shqetësova jo pse mendova se për qëllime sensacioni po nxirrej nga konteksti dhe deformohej një thënie, por sepse ndjeva erën e gazetarisë së llogoreve që nuk synon as t’i shërbejë informimit të publikut dhe as thellimit të analizës së një ngjarjeje, por ruajtjes së statukuosë së rreshtimit të njerëzve në llogoret e Ramës dhe të Berishës, duke skualifikuar këdo që kërkon diçka përtej tyre  e në radhë të parë shoqërinë civile e gazetarët e pavarur.”

“Ndërkohë më duket se ajo që ndodhi ishte pikërisht e kundërta e rreshtimit në llogore. Nuk e mohoj se duke komentuar fjalimin e Ramës them edhe se: ‘Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave), më kujtoi Hitlerin, që, kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai’. Për hir të së vërtetës, nuk kam lexuar (dhe as flas për) ndonjë fjalim kësisoj të Hitlerit, madje nuk di të them se në ç’libër fiction, dokumentar apo eseistik e kam gjetur këtë pohim.”

“Por thelbi është se i referohem ‘gjendjes psikologjie’ të një lideri, i cili nuk është në gjendje të shohë humbjen si pasojë e gabimeve të veta, pasi është i zhytur në paranojën e tij dhe që, edhe kur detyrohet t’i nënshtrohet një humbjeje, fajëson të tjerët, gjithë të tjerët, përveç vetes.”

“Nuk e mohoj, po ashtu, se asociacioni më ka ardhur ngaqë idenë e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri e kam përjetuar si një çmenduri të madhe në luajtjen me fatet e një populli të tërë.”

“Megjithatë, ndoshta e kam ekzagjeruar. U kërkoj ndjesë mbështetësve të Ramës. Mund të kisha thënë: Më kujtoi Sali Berishën, i cili, kur humbi zgjedhjet, ua vuri fajin mashtrimeve të opozitës dhe budallallëkut të popullit shqiptar që nuk ditën të vlerësojnë arritjet e  tij. E di që edhe kjo do t’u duket e tepruar, por s’kam ç’u bëj”, ka shkruar Fatos Lubonja në një opinion të siotëm në gazetën “Panorama”.