LSI po humb bastionet, a është kjo një shuplakë popullore?

Edhe pse ka treguar se është një forcë që di të administrojë mirë votën, Levizja Socialiste për Integrim duket se çalon kur bëhet fjalë për të kandiduar figura të saj. Të paktën ky është konstatimi i parë nëse sheh hartën e bashkive, në të cilat ka mbaruar numërimi ose është në përfundim.

Lajme

22/06/2015 16:24

Shkaqet e këtij rezultati deri më tani aspak të kënaqshëm të kandidatëve të LSI-së do të duhet të kërkohen ndoshta tek qasja e elektoratit ndaj kësaj partie apo edhe në raportet me PS-së. Kjo, për faktin se LSI ka humbur ose është duke humbur disa bashki që kanë qenë cilësuar si bastione të forta të së majtës.

Luan Sallaku i LSI-së humbi me një diferencë të ngushtë votash kundrejt Fiqiri Ismailit të së djathtës në Vorë duke përmbyllur kështu edhe një garë të ethshme dhe problematike në këtë zonë.

Humbje gjithashtu ka shënuar edhe kandidati tjetër i LSI-së në Bashkinë e Selenicës, Kasem Cenaj kundrejt Përparim Shametajt të së djathtës.

Nëse kanë humbur në Vorë e Selenicë, kandidatët e së majtës të propozuar nga LSI gjenden në dezvantazh të thellë në Kukës dhe Pogradec, ku mund të thuhet se gara ka po përfundon në favor të kandidatëve kundërshtarë. Bashkim Shehu i së djathtës kryeson me rreth 2 200 vota kundrejt Hasan Halilajt të LSI-së. Në Kukës janë numëruar rreth 90 për qind e votave.

Ndërkohë, Eduart Kapri i PD-së në Pogradec kryeson me rreth 1 800 vota kundrejt Diana Miles së Levizjes Socialiste për Integrim. Numërimi në Pogradec po shkon drejt fundit.

Viktor Tushaj i Lezhës është në dezavantazh me rreth 400 votash kundrejt Fran Frrokajt të PD-së, ndërsa ka përfunduar edhe numërimi i kutive të votimit në qytetin e Lezhës ku ai ka mbështetje të gjerë krahasuar me kandidatin e djathtë, i cili ka më shumë mbështetje në rrethina.

Çudia po ndodh në Berat, ku kandidati i së majtës i propozuar nga LSI, Petrit Sinaj po udhëheq me një rezultat minimal prej plus 68 votash kundrejt Kasem Mahmutajt të PR-së. Berati është një bastion i fortë i se majtës dhe pritej që fitorja të ishte e lehtë për kandidatin e ASHE-së, por nuk po ndodh kështu.

Ndërkohë, edhe pse është në një zonë tipike të majtë, kandidati i LSI-së në Mallkastër gjendet në dezavantazh kundrejt atij demokrat. Të dhënat zyrtare të KQZ-së tregojnë se Agron Kapllanaj i PD-së është në një avantazh prej rreth 350 votash ndaj Shyqyry Kapllanit të së majtës (kandidat i LSI-së) për Bashkinë e Mallakastrës ndërkohë që janë hapur rreth 70 për qind e kutive të votimit në këtë zonë.

Ndërkohë, kandidatët e LSI-së janë në avantazh në Cerrik, Përrenjas, ndërsa kanë fituar në Delvinë, Kolonjë dhe Skrapar, shkruan portali Albeu.