LSDM thonë se Likova është skenar i Qeverisë, BDI i cilëson si të dëmshme për shqiptarët

Partia opozitare e Maqedonisë, LSDM, ka dënuar sulmin e sotëm në stacionin policor në Gushincë të Komunës së Likovës.

Lajme

21/04/2015 15:53

Nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski, vlerëson se incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale.

Remenski thotë se të gjithë ata që ndihmojnë këtë skenarë, janë bashkëpunëtorë në tentativën për shfajësimin e pushtetit nga veprat e mundshme kriminele që po zbardhen me anë të bombave të opozitës.

“Tentativa për të përfshirë Maqedoninë në konflikt etnik të paguar, drejtuar dhe iniciuar me vetëdije si skenarë për shmangien e pushtetit nga përgjegjësia penale, është akt tradhtar dhe anti-shtetëror i të gjithë të përfshirëve, kundër popullit dhe shtetit të vetë. Çfarëdolloj përgatitje, mundësim, ndihmë ose pjesëmarrje e vetëdijshme në dhunë të tillë, por edhe të formave të tjera, përbën akt ndihmese të drejtpërdrejtë në anashkalimin e përgjegjësisë të këtij pushteti kriminal. Skenari i paguar dhe i përgatitur mediatikisht i pushtetit për nxitjen e mos tolerancës ndër-etnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodh dhe që mund të ndodhë”, tha Frosina Remenski, Nënkryetare e LSDM-së.

Rreth këtij incidenti, ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit.

Përmes një kumtese me shkrim, BDI reagoi ndaj incidenteve të sotme që ndodhën në Goshincë, duke ngitur shqetësim për dëmtimin agjendës së shqiptarëve në Maqedoni. Kjo parti, për dallim me ato opozitare maqedonase, nuk ka përmendur mundësinë që këto sulme të jenë të orkestruara nga partneri tyre në pushtet, Nikola Gruevski.

“BDI vlerëson që incidenti i ndodhur në Goshincë është akt që dëmton agjendën e shqiptarëve në Maqedoni në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi.

BDI fton qytetarët që të mos te shqetësohen dhe mos te bien pre e provokimeve të tilla dhe siguron qytetarët që këto incidente nuk do të na zhvendosin nga agjenda dhe aktivitetet tona të përcaktuara.

Kërkojmë nga institucionet kompetente që të marrin përgjegjësi për të garantuar siguri për qytetarët dhe sa më parë të zbardhin këtë rast. Njëkohësisht kërkojmë intesifikimin e bashkëpunimit rajonal për garanitmin e stabilitetit dhe zvoglimin e hapësirave për veprim të grupeve që kanë për qëllim pengimin e realizimit te agjendave të integrimit dhe pajtimit. “, thuhet ndërmjet tjerash në komunikatën e BDI-së.

/Alsat-M/