Low lavdëron Mustafin me shokë

Selektori i Gjermanisë, Joachim Low ka lavdëruar futbollistët e rinj, përfshirë mbrojtësin shqiptar Shkodran Mustafi, për paraqitjen e tyre në barazimin pa gola në miqësoren kundër Polonisë.

Sport

14/05/2014 09:36

Selektori i Gjermanisë, Joachim Low ka thënë se u kënaq duke shikuar një numër të madh të debutuesve në aksion të martën, gjatë barazimit 0:0 në miqësoren me Poloninë.

12 futbollistë, përfshirë mbrojtësin shqiptar Shkodran Mustafi, u paraqitën për herë të parë me ekipin senior të Gjermanisë në ballafaqimin në Hamburg, me yllin e Schalkes, Julian Draxler i cili u bë kapiteni më i ri në histori të ekipit në moshë prej 20-vjeç.

Pavarësisht ritmit të kujdesshëm të sfidës dhe mungesës së rasteve të pastra për gol, Low ka insistuar se u argëtua nga kandidatët e rinj për ftesë në Kampionat botëror.

“Ishte argëtuese”, deklaroi Low pas ndeshjes.

“Ne kishim një numër jashtëzakonisht të madh të futbollistëve të rinj në ekip, të cilët e kryen punën e tyre mjaft mirë. Ne ishim të organizuar mirë dhe luajtëm ashtu siç duhej. Edhe pa gola, ishte një ndeshje argëtuese”, u shpreh Low.