Low e vlerëson paraqitjen e ekipit
Joachim Low e ka vlerësuar lartë paraqitjen e ofruar nga ekipi i tij, në fitoren 7:1 ndaj Brazilit. Ai thotë se gjermanët e patën kontrollin e lojës dhe se luajtën me kurajo. Tash ai pret një tjetër paraqitje mahnitëse në finalen e së dielës.

Sport
Gjermania e ‘asfaltoi’ Brazilin me rezultat 7:1 dhe shkoi në finale të Botërorit, ku do të përballet me fituesin ndërmjet Holandës dhe Argjentinës.
Joachim Low e ka vlerësuar lartë paraqitjen e ekipit të tij, i cili ishte i aftë ta shkatërronte mikpritësin e këtij evenimenti.
“Ishte e rëndësishme ta ruanim qetësinë dhe ta luftonim presionin, por në të njëjtën kohë të demonstronim kurajo. Brazili ka mbetur i shokuar nga fillimi ynë. Në pjesën e parë gjithçka është bërë në mënyrën e duhur”, ka thënë trajneri gjerman pas ndeshjes.
“Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme. Tash duhet të pushojmë dhe të mbetemi të qetë deri të dielën”, vazhdoi Low, i cili e vlerësoi portierin Manuel Neuer, për të cilin thotë se është sensacional.