Love me Tender

Partia e Fortë del me ide të re. AL-Petlla është kompania e regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me qëllim marrjen e tenderëve nga institucionet.

Lajme

09/10/2013 12:30

Partia e Fortë vazhdon t’u paraprijë gjërave. Më pak se një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në të cilat kjo parti konkurron me Kandidatin e saj për Pozitën e Kryetarit të Prishtinës dhe me kandidatët për Asamble, Partia e Fortë ka regjistruar edhe zyrtarisht biznesin e saj.

AL-Petlla është kompania e regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me qëllim marrjen e tenderëve nga institucionet.

Ndërtimi i autostradave, rrugëve, aeroporteve dhe objekteve sportive, është aktiviteti kryesor i kësaj partie.

Një nga nënkryetarët me sasi të Partisë së Fortë, që është edhe person i autorizuar i kompanisë, Petrit Reçica, thotë se AL-Petlla parashikohet t’a ketë fituar tenderin e quajtur Rezidenca Transparence e Kryetarit (RTK), që është menduar të kushtojë rreth 23,000,000 euro.

Nënkryetari Reçica thotë se kompania do të ketë për momentin të punësuar vetëm një punëtor, ndërsa pas tenderit të parë me siguri do të nën-kontraktojë ndonjë kompani tjetër për kryerje të shërbimeve.

“Tash aplikova për regjistrim të kompanisë Al-Petlla dhe mund të them se po ndihem shumë optimist që ky moment do të jetë historik për mua, kompaninë time dhe tërë Kosovën”.

“Fillimisht do regjistrohem vetëm unë si punëtor, por jam plot vetëbesim që së shpejti kompania jonë do të kthehet në vatër punësimi edhe për vendin tonë”.

“Regjistrimi do të përfundojë pas 2-3 ditësh, kur edhe do ta publikojë çertifikatën për hatër të transparencës”.

“Kryetari i Partisë së Fortë ka thënë disa here edhe publikisht që nënkryetarët do të privilegjohen sa i përket tenderëve dhe përfitimeve. Natyrisht, kompania ime për shkak kualiteteve që i ka do të fitojë me merita në tenderin që do të shpallet menjëherë pas zgjedhjeve”.

Ditë më parë Partia e Fortë ka përuruar projektin e shtëpisë së Kryetarit të kësaj partie Visar Arifaj. Sipas nënkryetarëve, ky projekt është menduar të ndërtohet nga kompania Al-Petlla, megjithëse për një gjë të tillë së pari do të shpallin edhe tender. Projekti i quajtur Rezidenca Transparence e Kryetarit (RTK) është menduar të kushtojë rreth 23,000,000.