Lotët e Angelina Jolie për viktimat e Srebrenicës

Hague dhe Jolie, kanë qëndruar edhe në memorialin e të vrarëve në Srebrenicë, ku janë takuar me gra të keqtrajtuara seksualisht gjatë luftës së Bosnjës së viteve 1992- 1995, si dhe me gra të dashurit e të të cilave ishin vrarë në masakrën e bërë në këtë qytet.

Bota

29/03/2014 10:23

Aktorja me famë botërore, Angelina Jolie, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që ta ndalojë përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte.

Ajo ishte e shoqëruar nga Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, në një udhëtim në Bosnjë.

Hague dhe Jolie, kanë qëndruar edhe në memorialin e të vrarëve në Srebrenicë, ku janë takuar me gra të keqtrajtuara seksualisht gjatë luftës së Bosnjës së viteve 1992- 1995, si dhe me gra të dashurit e të të cilave ishin vrarë në masakrën e bërë në këtë qytet.

Jolie ishte e veshur me një fustan të zi dhe një shami të zezë në respekt të zakoneve të grave myslimane kur vizitoi varrezat.

 

Jolie, e cila është Ambasadore e Vullnetit të Mirë e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), tha në konferencën e cila u mbajt në Sarajevë se përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte është një nga krimet më të egra dhe më të tmerrshme kundër civilëve.

Ajo tha se dhunimi është akt shumë brutal dhe ky lloj dhune ekstreme është diçka për të cilën duhet folur.

 

Sipas vlerësimeve lokale, rreth 20 mijë gra, shumica myslimane, ishin viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës ndëretnike në Bosnje, para dy dekadave. Megjithatë, deri më tani, vetëm 33 persona janë dënuar për këto krime nga ana e gjykatave vendore dhe 30 të tjerë nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte.