Lobimi i deputetit Abdixhiku për ndërtesën e baballëkut që po rrezikon banorët

Deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku i eci mirë lobimi tek asamblistët e partisë së tij në Kuvendin e Komunës së Prishtinës që ta mbështesin shkëmbimin e pronave të baballëkut të tij me një parcelë të Komunës ku do të mund të ndërtohej një ndërtesë shumëkatëshe. Por, menjëherë pas fillimit të ndërtimit të banesës në këtë parcelë në lagjen e ‘Muhaxhirëve’ fillojë shembja e asfaltit dhe u evakuuan disa familje.

Lajme

30/05/2019 16:28

Shembja e asfaltit që ndodhi në lagjen e ‘Muhaxhirëve’ në Prishtinë ku po ndërtohet një banesë shumëkatëshe ka rrezikuar shtëpitë përrreth. Prej frikës së shembjes më të madhe, të premten (24 maj) iku nga banesa edhe një familje. Ndërkohë, asfalti ka mbetur në atë gjendje tash e disa ditë.

Lajmi.net ka mësuar se pronari i tokës dhe i objektit ndërtimor është Nexhmi Kastrati, i cili është baballëku i deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në fakt, objekti nëntë katesh është duke u ndërtuar nga NNSH “Shala –XH” dhe Nexhmi Kastrati. Punëkryes është kompania “Shala Group”, ndërsa prona është në pronësi të 13 pronarëve.

“Shala Group” dhe Nexhmi Kastrati kanë kërkuar leje të dertimit që nga viti 2017, por drejtoria e Urbanizimit ia kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin se parcela nuk i plotëson kushtet e ndërtimit. Mandej, kryetari Shpend Ahmeti u ka propozuar një shkëmbim të pronës pronarëve me një parcelë të komunës, në mënyrë që t’i mundësohet nderimi i ndërtesës baballëkut të Abdixhikut, si investitor dhe pronarë i tokës.

Propozimin për shkëmbimin e pronave, kryetari Ahmeti e kishte dërguar në fund të vitit të kaluar në Kuvendin Komunal, si organ kompetent i shkëmbimeve të pronave komunale. Siç ka mësuar lajmi.net, fillimisht disa asamblistë të LDK-së kanë hezituar ta votojë këtë propozimin të kryetarit Ahmeti, por pas një zhurme të krijuar nga asamblistët e PSD-së gjatë mbledhjes së Kuvendit, LDK-ja e ka votuar në mënyrë unanime. Burime të lajmi.net brenda grupit parlamentarë të LDK-së në KK-së të Prishtinës kanë thënë se, deputeti Abdixhiku i kishte kontaktuar disa asamblistë për ta votuar këtë propozim. Lajmi.net ka dërguar pyetje në adresë të deputetit Abdixhiku lidhur me këtë, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Pas shkëmbimit të tokave, ishin krijuar kushtet për ndërtim.

Fillimisht, komuna për ndërtimin e këtij objekti ka lëshuar leje për sigurimin e gropës ndërtimore, gjegjësisht ndërtimin e pilotave si fazë paraprake e kërkesës për leje ndërtimore. Pastaj, më datë 7 maj 2019, i është lëshuar leja e ndërtimit për ndërtimin e ndërtesës shumëbanesore afariste ‘Ndërtesa A’ me etazhitet 2B+S+P+9, në kuadër të bllokut urban ‘a-02’.

Sipas Planit rregullues urban i lagjes se “Muhaxhirëve”, tërësia A, në të cilën po zhvillohen punimet duhet të ketë hapësirë të gjelbër (min. 50% të sip. së hapësirës), gjë e cila mungon.

Megjithëkëtë, vetëm 3-4  ditë pas lëshimit të lejes së ndërtimit, është shembur një pjesë asfaltit, buzë ndërtesës.

Zyrtarët komunal kishin thënë se shembja mund të ketë ndodhur si pasoj e shpërthimit të gypit të ujit dhe reshjeve. Por, një gjë të tillë e ka mohuar menjëherë Kompania e ‘Ujësjellësit’ Rajonal “Prishtina”, duke thënë se gypi ka shpërthyer një orë pasi ka ndodhur shembja e dheut, dhe se shembja kishte ndodhur nga papërgjegjësia e kompanisë ndërtuese.

Para se të ndodhte shembja, sektori i emergjencave në drejtorinë e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, kishte dhënë paralajmërim intern se në këtë pjesë mund të ketë shembje, meqë kohë më parë disa shtëpi kishin pësuar qarje.

Kryetari Ahmeti ka thënë se do të kërkojë llogari nga përgjegjësit që kanë quar në shembjen e dheut. Megjithëkëtë, Ahmeti ka një afërsi me deputetin e LDK-së, Abdixhiku, Ai shpesh është parë në kafe më të, sidomos gjatë mandatit të parë të tij si kryetar. Madje, në zgjedhjet e fundit lokale ishte përfolur për një tërheqje nga gara për kryetar të Prishtinës nga ana e Lumir Abdixhikut dhe se i njëjti pastaj nuk kishte lobuar për Arban Abrashin. Anketat e realizuara nga Riinvest që drejtohet nga Abdixhiku flisnin për një rezultat të bindshëm për Ahmetin gjatë zgjedhjeve, konkretisht 49.9 % e qytetarëve kishin thënë se do të votonin për Ahmetin më 22 tetor, ndërsa 12 % të tjerë ishin shprehur të pavendosur. /Lajmi.net/