Llapi i ‘pa interesuar’ për titull, Feronikeli fiton me lehtësi në Podujevë

Feronikeli e ka fituar më lehtë se sa është pritur sfidën e javës së 32-të kundër Llapit në Podujevë.

Sport

15/05/2019 17:52

Ndeshja e cilësuar si derbi, është shndërruar në një ndeshje të zakonshme nga Feronikeli, që ka mposhtur 1:3 KF Llapin në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.

Me humbjen ndaj Feronikelit, dhe me fitoren e FC Prishtinës në anën tjetër kundër Trepçës ’89,  KF Llapi edhe zyrtarisht është jashtë garës për titull në sezonin 2018/2019.

Arbër Prekazi në minutën e 18’, shënoi për epërsinë e parë 0-1 të Feronikelit, pas një gabimi të portierit Afrim Ademi, shkruan lajmi.net.

Në minutën e 21’, Llapi arriti të barazonte në 1:1, me Festim Alidemën që u tregua i saktë nga penalltia, e fituar nga sulmuesi Ahmed Jonuzi.

Me skuadrën e Llapit aspak të interesuar për lojë, Feronikeli ia doli të shënonte edhe dy herë në pjesën e dytë.

Mendurim Hoti në minutën e 55’ pas një depërtimi të lehtë, riktheu epërsinë e Feronikelit në 1:2.

Fitoren e Feronikelit e vulosi Kastriot Rexha, që shënoi në minutën e 62’, për 1:3.

Goli i Rexhës solli edhe fundin e ndeshjes, me tifozët e Llapit që filluan të largohen nga stadiumi ‘Zahir Pajaziti’.

Pas kësaj fitore, Feronikeli numëron 77 pikë dhe renditet në vendin e parë, ndërsa Llapi me 69 pikë, do të përfundojë sezonin në vendin e tretë./Lajmi.net/