Lladrovci i përgjigjet Abdixhikut për Stadiumin: Mos e vokë atë ujë

23:34 | 19 Nentor 2019

Dy muaj më parë, kandidatja për kryeministre në zgjedhjet e fundit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, kishte vënë në dilemë ndërtimin e stadiumit të kombëtares në Zonën Industriale.

Por, kryetari i Komunës së Drenasit, nuk vonoi duke iu kundërpërgjigjur asaj, duke i thënë se kjo është çështje e menduar mirë dhe jo politike.

“Sonte, znj. Vjosa Osmani, gabimisht fole për Stadiumin nacional, vure në dilemë ndërtimin e tij, në komunën e Drenasit, në qendër të Kosovës. Znj. Vjosë, stadiumi nuk është çështje politike, por çështje e studiuar mirë, me fizibiliteti dhe projekt të miratuar. Mos e politizo sportin. Tërë ato që ju po i mendoni, ne jemi duke i bërë, ne nuk flasim, ne punojmë. Një fjalë popullore thotë: Mos e vokë atë ujë”, kishte thënë Lladrovci.

E, sot në T7, anëtari i kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se LDK dhe Vetëvendosje kanë vendosur që stadiumi i kombëtares të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës dhe jo në Drenas.

I pyetur rreth kësaj deklarate, Lladrovci ia përsëriti njësoj si edhe Osmanit të njëjtën porosi.

“Gjatë fushatës, e kam dhënë një mesazh rreth Stadiumit nacional, për mbesen tonë: Mos e vokë atë ujë. Njëjtë, i them edhe deputetit Abdixhiku: Mos e vokë atë ujë! Shpresoj se ky vend ka mendje të kthjellëta dhe mendojnë mirë kah po e çojnë vendin”, tha i pari i Lladrovit për Indeksonline.