Liverpooli katër ndeshje larg titullit, përmbys West Ham në ‘Anfield’

Liverpooli ka barazuar rekordin e Manchester Cityt duke arritur 18 fitore radhazi, pasi ka mposhtur 3:2 West Hamin në ‘Anfield’.

Sport

24/02/2020 22:53

Të Kuqtë djersitën mjaft shumë këtë ndeshje, por megjithatë në fund arritën të merrnin tre pikë – falë edhe përformancës së dobët të portierit mysafir Fabianski.

Wijnaldum (9’) shënoi i pari këtë takim, para se Diop (12’) të barazonte shumë shpejt.

Në pjesën e dytë, Liverpooli u shokua pasi Pablo Fornals (54’) arriti t’i jepte epërsinë skuadrës së David Moyes.

Në vijim, nisën sulmet e vendasve që arritën të barazonin rezultatin përmes Mohamed Salah (68’) pas një gafe të ish-portierit të Arsenalit.

Përmbysja u kompletua nga Sadio Mane (81’), i cili u asistua nga Alexander-Arnold që shfrytëzoi daljen e gabuar të Fabianskit, me këtë të fundit që ishte fytyra tragjike e ndeshjes.

Minutat e fundit sollën edhe më shumë dramë, kur liderëve iu anulua një gol kurse mysafirët huqën një rast të jashtëzakonshëm.

Liverpool tubon 79 pikë në krye të Premierligës, dhe tani është vetëm katër ndeshje larg për të siguruar edhe matematikisht titullin. ‘Hammers’ gjenden në zonën e ftohtë me 24 pikë. /Lajmi.net/