Liverpool negocion Falcaon

Liverpool vazhdon të jetë në kontakt me përfaqësuesit e Radamel Falcaos rreth transferimit të tij në Anfield. Por, sulmuesi i Monacos kërkohet edhe nga Real Madrid e Juventus.

Sport

19/08/2014 10:03

Liverpool është duke vazhduar bisedimet me menaxherët e Radamel Falcaos rreth mundësisë së transferimit të tij në Anfield nga klubi francez, Monaco.

Falcao është objektivi kryesor i Reds gjatë ditëve të mbetura të afatit kalimtar të verës derisa menaxheri Brendan Rodgers synon të zëvendësojë Luis Suarezin e larguar drejt Barcelonës.

“Daily Mail” raporton se Reds shpresojnë të sigurojnë shërbimet e golgeterit kolumbian dhe shton se Liverpool vazhdon të jetë në kontakt me përfaqësuesit e Falcaos.

Real Madrid dhe Juventus po ashtu janë duke shërbyer konkurrencë për transferimin e sulmuesit por preferojnë angazhimin e tij në formë huazimi.

Andaj, Liverpool është në pozitë më të mirë që me një ofertë të mirë financiare të bindë Monacon dhe Falcaon që të realizojnë marrëveshjen.