Liverpool, larg nga televizori, radio e interneti

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez mendon se futbollistët e Reds do të bënin më mirë nëse nuk e shikojnë televizorin, nuk e dëgjojnë radion dhe nuk e shfrytëzojnë internetin, në mënyrë që të qëndrojnë larg presionit në garë për titull të kampionit në Premierligë.

Sport

17/04/2014 19:59

Luis Suarez ka këshilluar tifozët e Liverpoolit të qëndrojnë të qetë derisa ekipi mundohet t’i rezistojë presionit në garë për titull dhe të shpallet kampion për herë të parë pas 24 vjetësh.

Ylli uruguaian me 29 golat e tij në Premierligë ka udhëhequr Liverpoolin drejt kreut të tabelës dhe pranon se nuk lejon që të kaplohet nga presioni i madh.

“Është normale që tifozët të jenë të gëzuar dhe nën ethe, të diskutojnë shanset tona”, deklaroi Suarez për uebfaqen zyrtare të Liverpoolit.

“Kur dal për të blerë diçka me familjen dhe takoj tifozë, ata ma përmendin. U kam thënë të qëndrojnë të qetë dhe mos të brengosen. Ne do të japim maksimumin. Për futbollistët, ndoshta është më mirë që të mos përfshihemi në gjëra të tilla”.

“Personalisht, mendoj se do të ishte më mirë nëse nuk shikoj televizorin, nuk e dëgjoj radion dhe nuk e shfrytëzoi internetin për të lexuar rreth nesh. E di se si është situata. Fitimi i titullit do të ishte diçka e veçantë, por nuk mendoj ende për këtë”, përfundoi ai.