Të Infektuar: 106.022

Të Shëruar: 96.668

Të Vdekur: 2.198

Liverpool fiton Ligën e Kampionëve, triumfon ndaj Tottenham me golat e Salah e Origi

22:56 | 1 Qershor 2019

Finalja spektakolare e luajtur në ‘Wanda Metropolitano’ të Madridit i ka takuar skuadrës së Liverpoolit.

Skuadra e udhëhequr nga Jurgen Klopp ka arritur që të fitojë trofeun e parë nën urdhrat e trajnerit gjerman, duke mposhtur Tottenhamin në finalen e Ligës së Kampionëve, me rezultatin 0:2.

Një ndeshje të cilës nuk i mungoi asgjë, u vendos me golat e Mohamed Salah dhe Divock Origit, në minutën e 2′ dhe 87′ shkruan lajmi.net.

Ishte një aksion i nisur nga Sadio Mane, i cili përfundoi me penallti në favor të Liverpool, pas prekjes së topit me dorë nga Sissoko.

Penalltinë e ktheu në gol ylli egjiptian, Mohamed Salah, i cili u tregua i saktë dhe dërgoi topin prapa shpinës së Hugo Lloris.

Pjesa e dytë i takoi në tërësi skuadrës së Tottenham, duke parë në fushë një Liverpool thuajse joekzistent, deri në aksionin e minutës së 87′.

Ishte heroi i mbrëmjes së ‘Anfield’, kundër Barcelonës, Divock Origi, ai që la gjurmët e tij edhe në finalen e Madridit, duke shënuar golin e qetësisë për skuadrën e tij.

Vëmendje në këtë finale të madhe tërhoqi edhe biondina Kisney Wolanski, e cila u fut në fushën e blertë për të ndërprerrë takimin për disa minuta.

Kështu, Liverpool fiton trofeun e parë nën urdhrat e Klopp, për të shpëtuar këtë sezon, kurse Tottenham Hotspur do të mbesin pa trofe këtë edicion. /Lajmi.net/