Listës Serbe i vështirësohet situata, Vetëvendosje zyrtarisht kundër certifikimit për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, me ç’rast ka bërë shqyrtimin e rekomandimeve për certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Lajme

23/04/2019 12:17

Me këtë rast, kundër certifikimit të Listës Serbe është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje.

Ata kanë kërkuar të ofrohen dëshmi shtesë nga Lista Serbe se kandidatët e këtij subjekti njohin dhe respektojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.

Gjithashtu, anëtarët e KQZ-së nga LVV kanë kërkuar nga LS që të mos i bindet politikave të Beogradit.

Gjersa ka paraqitur rekomandimet për certifikimin e partive gjatë mbledhjes, Valmira Selmani,ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike (ZRPP) ka thënë se të tri subjektet (PDK, LVV, Lista Serbe) i kanë plotësuar kriteret për certifikim.

Mirëpo, menjëherë pas kësaj ka reaguar anëtari i VV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka thënë se kandidatët e LS-së nuk janë juridikisht të vlefshëm, duke pasur parasysh faktin që tre prej kandidatëve (që kanë qenë ish-kryetarët e dorëhequr), kishin dhënë dorëheqje duke iu referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”.

“Në rastin konkret ne kemi parë që nga mesi i katër kandidatëve të LS-së tre prej tyre janë ish-kryetarët që kishin dhënë dorëheqje. Duhet ta evidentojmë që kandidatët në fjalë me dorëheqjet që kanë dhënë, në formën se si kanë dhënë dhe me përmbajtjen, bie në kundërshtim me kushtetutën dhe nuk mendoj se janë kandidatë juridikisht të vlefshëm për t’u certifikuar”, ka deklaruar ai.

Lista Serbe, siç Rrustemi është shprehur, duhet të ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga mënyra e dhënies së dorëheqjes.

“Në formën se si kanë dhënë dorëheqje ata i referohen Kosovës si ‘Kosova e Metohija’”, ka potencuar ai, raporton zeri.info.

Gjithashtu, Rrustemi ka thënë se LS duhet të distancohet edhe nga ndikimi i drejtpërdrejtë që po i bën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Rrjedhimisht, sipas tij, rikandidimi i tre të dorëhequrve do të duhej të ishte i papranueshëm.

Ndaj, Rrustemi ka thënë se çështja e kandidatëve serbë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë mendoj që kjo çështje duhet të shkojë edhe në gjykatë. Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e saj se a kanë të drejtë kandidatët që i janë referuar Kosovës me ‘Kosova e Metohija’ të kandidojnë për zgjedhje”, ka potencuar ai.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Rrustemi ka thënë se LVV nuk do ta mbështesë certifikimin e LS-së.

Ndërkaq, anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, ka thënë se nuk është problem përzgjedhja e kandidatëve të LS, nëse ky subjekt ka vendosur ashtu.

“Nëse Lista Serbe i ka propozuar, pasi çdokush e ka këtë të drejtë, unë nuk e shoh këtë problem. Mendoj që këtu nuk ka vend për politikën”, ka deklaruar ai.

Kurse, Florian Dushi nga LDK ka thënë se Zyra nuk do ta kishte rekomanduar për certifikim LS-në, nëse nuk do t’i kishte respektuar rregullat.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u bëri thirrje anëtarëve të partive politike që të frenohen nga vlerësimet politike dhe të jenë anëtarë të pavarur.

Pas kësaj, anëtarët e KQZ kanë shkuar në pauzë, për t’u konsultuar dhe për të marrë një vendim se si të veprohet me LS-në dhe deri tash është bërë një orë që ata ende nuk janë kthyer.