Listat po deformohen

Vetëvendosje thotë se KQZ po e rrënon pavarësinë institucionale. Sipas saj, deformimet e listës së votuesve janë rezultat i drejtpërdrejtë i koncesioneve të bëra në Marrëveshjen Thaçi-Dacic.

Lajme

29/09/2013 18:17

Vetëvendosje konsideron se Marrëveshja mes Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, e arritur gjatë dialogut në Bruksel, ka prekur rëndë funksionimin e institucioneve të pavarura.

Në një komunikatë për media, VV ka thënë se KQZ është duke kaluar nëpër një proces, i cili po e rrënon pavarësinë institucionale.

“Nga institucion kushtetues e i pavarur që organizon e garanton zgjedhjet në të gjithë vendin, KQZ është kthyer në shkelësin kryesor të ligjit sidomos kur flitet për kërkesat e Beogradit.”

“OSBE solli 40 mijë aplikacione nga Serbia në mënyrë të paligjshme, pas afatit të shtyrë dy herë dhe me dokumente të falsifikuara. Këto po synon t’i verifikojë dhe vlerësojë kundërligjshëm, duke  pretenduar t’i përfshijë në listën e votuesve. Të dy këto hapa përmbushin vetëm synimet e Serbisë për të ndryshuar karakterin demografik të Kosovës, duke e trefishuar numrin e votuesve serbë.”

“Gjatë ditës së djeshme, zyrtarë nga OSBE’ja dhe hetues nga EULEX’i, pa dijeninë e KQZ’së dhe pa vendim apo autorizim paraprak, kanë marrë në duar procesin e verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia. Kjo me arsyetimin se KQZ ka marrëveshje me OSBE’në, e cila ka buruar nga marrëveshja e 19 prillit 2013.  Kjo është ndërhyrje e paprecedentë në një institucion të pavarur kushtetues.”

Vetëvendosje ka thënë më tutje se OSBE deri në orët e vona ka “verifikuar dhe hetuar” mijëra aplikacione, duke u përpjekur të korrigjojë paligjshëm aplikacionet dhe të ndikojë në aprovimin e tyre.

“Sekretariati i KQZ’së kishte verifikuar e vlerësuar të gjitha aplikacionet e sjella jashtëligjshëm nga Serbia përmes OSBE’së. Rezultati ishte se nga 40 mijë aplikacione, vetëm rreth 3% mund të pranoheshin në listën e votuesve. Raporti me këto të dhëna nuk u bë publik, me arsyetimin që procesi duhet rishikuar dhe duhet gjetur hapësirë për pranimin e 40 mijë aplikacioneve.”

“Ndërhyrja e tjetër ndodhi, po të dielën, 28 shtator, me ç’rast KQZ ka pranuar ekstraktin nga Regjistri Civil, të cilit i është bashkëngjitur kundërligjshëm një listë e veçantë me rreth 12 mijë emra serbë, me kërkesën që të përfshihen në listën e votuesve. Lista është dorëzuar nga autoritetet serbe përmes OSBE’së në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Këta emra u përfshinë  në databazën e agjencisë, me numra të letërnjoftimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë.”

Sipas Vetëvendosjes, deformimet e listës së votuesve dhe më pas të regjistrit civil janë rezultat i drejtpërdrejtë i koncesioneve të bëra në Marrëveshjen Thaçi-Dacic.

“Për këtë përgjegjës janë padyshim Kryeministri aktual, Hashim Thaçi, por pa dyshim dhe çdo zyrtar i lartë i institucioneve të vendit që ka pranuar të vendos pozitën personale para interesit të Kosovës.”