“Lista Srpska” po kërcënon

Kryeprokurori Ismet Kabashi konfirmon se “Lista Srpska” po kërcënon qytetarët serbë. Ai sot ka bërë një pasqyrë të punës së Prokurorisë në lëndët që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

Lajme

26/11/2013 14:08

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi ka bërë të ditur se deri më tani janë akuzuar 25 persona që pretendohet se kanë bërë shkelje të ndryshme ligjore në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë më 3 nëntor.

Sipas tij, Prokuroria e Shtetit më 3 nëntor ka pasur më pak punë sesa në zgjedhjet e kaluara

Prishtina prin për nga numri i rasteve të paraqitura me 9 raste kundër 19 personave, pasuar nga Peja dhe Mitrovica.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka pasur raste të shumta ankesash ndaj sjelljeve në fushatë të “Listës Serbe”.

“Në rastin e Gjakovës, Prokurori kompetent ka kërkuar nga policia ndërmarrje, për mbledhjen e informatave të nevojshme për të vendosur lidhur me ato shkrime që qarkullojnë në media ndërsa sa i përket “Listës Srpska” kemi raste të shumta të cilat janë duke u punuar që kërcënohen qytetarët se do të hiqen nga listat për ndihma sociale që u jepen nga Republika e Serbisë dhe se nuk do të mund të sigurojnë dokumente personale në Republikën e Serbisë”, ka thënë Kabashi.

Por ai ka njoftuar se të gjitha rastet në të cilat Gjykata e shkallës së parë ka caktuar paraburgimin, Gjykata e Apelit i ka ndryshuar këto vendime dhe ka shqiptuar masat e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve”.

“Pas fillimit të hetimit, hetimi është pushuar kundër gjashtë personave dhe atë në Gjakovë kundër një personi dhe në Pjesë kundër pesë personave”.

“Deri më sot prokuroritë kanë paraqitur 13 aktakuza kundër 20 personave ndërsa rastet e personave tjerë janë ende nën hetime”.

“Rastet e paraqitura ndaj shtatë personave kanë të bëjnë me veprën penale të kanosjes së kandidatit, një person për parandëmin e ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

“14 persona për cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve, 7 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjes 11 persona për dhënie ose marrje të ryshfetit lidhur me votimin, 3 persona për keqpërdorim të së drejtës së votimit dhe 17 persona për pengimin e procesit votimit, 2 persona për cenimin e fshehtësisë së votimit dhe 3 persona për falsifikimin rezultateve të votimit”, është shprehur Kabashi.

Sipas tij, përveç këtyre rasteve janë të paraqitur edhe 21 raste në të cilat prokurorët në bazë të materiët që kanë disponuar nuk kanë mundur të fillojnë formësht hetimin por kanë kërkuar nga Policia mbledhjen e të dhënave të nevojshme për të mundur me marrë vendim se a do të fillojnë procedurën penale apo do të mbyllin atë rast.

“Janë paraqitur rastet edhe kundër 19 personave për veprat penale që nuk kanë të bëjnë lidhur me zgjedhjet e që janë kryesisht rrahje jashtë vendvotimeve, një rast I armëmbajtjes pa leje, ndërsa rastet tjera janë për paraqitje të rrejshme”.

“Prokurori i shtetit për balotazh do të jetë i mobilizuar edhe më tepër sesa që ishte gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit”.

“Nga dita e sotme në Prokurorinë Themelore në Gjakovë është një Prokuror I zyrës së prokurorit të shtetit për t`i koordinuar punën e asaj prokurorie. Ndërsa në ditën e votimit në të gjitha prokuroritë themelore të Kosovës përveç prokurorëve të atyre prokurorive do të jetë kujdestar edhe nga një prokuror I prokurorisë së apelit ndërsa edhe në Mitrovicë një prokuror i zyrës së prokurorit të shtetit”.

“Në veri nuk kemi informata se ka kërcënime të tilla kemi informata se ka kërcënime në Partesh dhe se janë duke u zhvilluar procedurat”.