Lista Srpska me kërkesa të papranueshme për qeverinë e re?

Pavarësisht që subjektet parlamentare, të cilat përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvendin e Kosovës, në mbledhjen konstituive votuan për kryetar kandidatin e koalicionin LDK, AAK dhe Nisma, Isa Mustafën, ato nuk janë përcaktuar ende se me kë do të përafrohen për të krijuar qeverinë e re.

Lajme

21/07/2014 18:29

Ata thonë se do t’i bashkohen cilitdo koalicion që ofron kushte më të favorshme për pakicat, qoftë koalicioni, të cilit i prin Partia Demokratike e Kosovës, qoftë koalicioni LDK-AAK-Nisma.

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, e cila ka fituar 9 ulëse në Kuvendin e Kosovës, thotë se votat nga ky subjekt për Isa Mustafën nuk nënkuptojnë orientimin se me kë do të hyjnë në qeveri.

“Ky ka qenë vetëm një veprim i cili duhet të pengojë atë që të mos ndodhin përsëri zgjedhjet në Kosovë. Ne e kemi bërë këtë vetëm që të ruhet stabiliteti parlamentar, në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të reja. Ne e kemi klubin parlamentar me 10 deputetë. Ne nuk kemi asnjë favorit në mesin e partive shqiptare. Për ne janë partnerë të mundshëm, si njëri ashtu edhe tjetri opsion. Ne do të shohim se cili opsion është i gatshëm për një pajtim të sinqertë dhe bashkëpunim, si dhe për ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve”, tha Jabllanoviq prë Radion  Evropa e Lirë.

Qëndrim të përafërt kanë treg0uar edhe Mahir Yagcilar nga grupi parlamentar ‘6 plus”, i cili bashkon gjashtë deputetë që përfaqësojnë pakicat tjera në Kuvendin e Kosovës.

“Sigurisht që si komunitete do të konsultohemi. Tash ne jemi një grup parlamentar ‘6 plus’. Por, një qëndrim, në parim, ka qenë që votojmë që të mos përsëriten zgjedhjet, si dhe të votojmë atë që e ka shumicën”, theksoi Yagcilar.

Por, megjithatë, subjektet parlamentare që përfaqësojnë pakicat kanë dhënë shenja se cilat do të jenë parakushtet që do ta definojnë orientimin e tyre për të dhënë votat për formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Listës Serbe, Jabllanoviq thotë se për subjektin që ai drejton janë domethënëse principet mbi të cilat do të duhej të konstituohet qeveria e re, e sidomos ato që ndërlidhen me interesat e serbëve.

Sipas tij, për Listën Serbe nuk ka rëndësi se cilat ministri do t’i drejtojë dhe kush do të jenë ministra, por fakti se a do t’i respektojë qeveria e re interesat e serbëve. Jabllanoviq thotë se këta interesa ndërlidhen me themelimin sa më të shpejtë të Bashkësisë së komunave serbe, kthimi i pasurisë së Kishës Ortodokse Serbe, organizimi më i mirë për kthimin e të zhvendosurve dhe që ky kthim të jetë më i qëndrueshëm, si dhe anulimi i privatizimeve në mjediset ku jetojnë serbët.

“Këto janë katër kushte pa të cilat ne nuk mund të hyjmë në çfarëdo pushteti, qoftë me njërin qoftë me opsionin tjetër, madje edhe me çmimin që ne të mbesim në opozitë. Në anën tjetër, për ne është shumë domethënëse që situata në Mitrovicë, në veri dhe në jug, të shtendoset maksimalisht, për shkak se është bërë një atmosferë artificiale, kinse atje ka konflikt të madh ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, gjë që nuk është aq e vërtetë”.

“Serbët dhe shqiptarët në mënyrë të papenguar tregtojnë dhe kalojnë nga njëra anë në anën tjetër të qytetit. Por, politika momentale e pushtetit, që aktualisht e udhëheqë Partia Demokratike e Kosovës, sipas mendimit tonë, në Mitrovicë tash për tash po luan në letrën e nacionalizmit, gjë që për ne është e papranueshme”, ka shpjeguar Jabllanoviq.

Edhe Yagcilar thotë se do të konsultohen brenda grupit “6 plus” për kushtet eventuale me të cilat mund t’i bashkëngjiten cilitdo koalicion që formon qeverinë. Por, sipas tij, e sigurt është se do t’i bashkëngjiten kujtdo që e siguron shumicën për formimin e qeverisë.

“Si ‘6 plus’ ne do të shikojmë dhe do të bisedojmë, sepse, sigurisht që edhe ne do të vlerësojmë se cila anë ka shumicën. Tash, të shikojmë sipas zhvillimeve, se a do të kërkojmë diçka më tepër dhe si mundet kjo çështje të realizohet”, u shpreh Yagcilar.

Sido që të jetë, subjektet parlamentare të cilat përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvendin e Kosovës, përfaqësimin në ekzekutivin e vendit e kanë të garantuar, varësisht nga numri i resorëve që mund të ketë qeveria e re. (Radio Evropa e Lirë)