Lista Srpska do që të hajë me dy lugë
Kreu i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq ka thënë se para hyrjes në qeverinë e re të Kosovës do të ketë synim formimin e Asociacionit të Komunave serbe dhe ruajtjen e lidhjeve me Beogradin.

Lajme
Kryetari i Komunës së Graçanicës dhe zyrtari i lartë i Listës Srpska, Branimir Stojanoviq ka thënë sot në Çagllavicë se kjo listë lufton për të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë, për formimin e Gjykatës Speciale “në mënyrë që kryesit e krimeve ndaj serbëve, por edhe shqiptarëve, të përgjigjen para drejtësisë, si dhe për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Duke marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Duke pritur qeverinë kosovare”, bashkë me ministrin në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq dhe analistin politik, Behlul Beqaj, Stojanoviq ka thënë se Srpska nuk do të përcaktojë formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe ka përsëritur se kjo listë i ka dhënë mbështetje Isa Mustafës, pasi që më herët kanë thënë se do ta mbështesin atë që e ka shumicë për formimin e qeverisë.
Sipas tij, Lista Srpska nuk do të jetë faktor i destabilizimit dhe ka shtuar se para se të hyjë në qeveri do të ketë parasysh para së gjithash formimin e “Bashkësisë së komunave me shumicë serbe” dhe ruajtjen e lidhjeve me Beogradin.