Lista “Srbija” ndryshon emrin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga përfaqësuesit e listave serbe që të ndryshojnë emërtimet e tyre dhe të heqin emrin “Srbija”. Ish Lista “Srbija” tash do të quhet “Iniciativa Qytetare Serbe”. Aplikacioni - me logon e Republikës së Kosovës.

Lajme
Lista që më herët e ka quajtur veten ‘Srbija’, tashmë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të garojë me emërtimin “Gradjanska Inicijativa Srpska” (“Iniciativa Qytetare Serbe”).
Përfaqësuesi i kësaj Liste, Vladeta Kostiq, për mediat serbe ka deklaruar se mbrëmë KQZ ka miratuar ndryshimin e emrit të listës serbe. Ai ka thënë se serbët me atë emër do të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Fletë-Aplikacioni i KQZ’së, i cili mban logon e Republikës së Kosovës, është respektuar nga ky subjekt politik serb.
Ndërkaq, përfaqësuesi i listës tjetër serbe Oliver Ivanovic ka deklaruar se ende nuk kanë vendosur se si do t’ia ndërrojnë emrin listës së tyre dhe nga KQZ do kërkojnë sqarime.
“Ne presim përgjigje të cilat në një kohë të përshtatshme do të na sqaronin dhe në bazë të atyre përgjigjeve do të ulemi dhe do të vendosim nëse do t’i pranojmë ato sugjerime, nëse do ta ndryshojmë emrin apo do të heqim dorë nga zgjedhjet.”
Sot pritet që zyrtarisht KQZ të njoftojë rreth kësaj çështjeje në mbledhjen që pritet të mbahet në orën 17:00.