‘Lista Serbe janë Çetnikë’

Albin Kurti thotë se tani po shihen pasojat e Marrëveshjes me Serbinë, e cila, sipas tij, solli në pushtet jo Listën Serbe por çetnikët, në nëntë Komuna të Kosovës. Sipas Kurtit, Lista Serbe s'janë thjesht serbë, por ata janë çetnikë.

Lajme

15/12/2013 10:17

Albin Kurti deklaroi sot se Vetëvendosje ka pasur të drejtë kur ka protestuar për ta penguar ratifikimin e Marrëveshjes me Serbinë dhe miratimin e Ligjit për Amnesitinë.

Në mbledhjen e dymbëdhjetë të  Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti tha se tani po shihen pasojat e kësaj marrëveshjeje, e cila, sipas tij, solli në pushtet jo Listën Serbe, por çetnikët, në nëntë komuna të Kosovës.

“Sfidat për Vetëvendosjen në vitin 2014 s’do të jenë vetëm elektorale”.

“Po e shihni se madje si dhuratë për Vitin e Ri duan ta shesin PTK’në, ndërsa në vitin e ardhshëm duan t’i vazhdojnë ulëset e rezervuara përtej Planit të padrejtë të Ahtiaarit, kurse në zgjedhjet e ardhshme ta sjellin në Kuvendin e Kosovës Listën Serbe, një formacion ky çetnik i përbërë prej çetnikëve”.

“Lista Serbe nuk janë thjesht serbë, ata janë çetnikë”.

“Sigurisht se u dëshmua se ne të Vetëvendosjes kishim të drejtë kur vendosëm panot me parulla në Kuvend, kur kemi insistuar që të mos mbahet seanca e turpshme e ratifikimit të Marrëveshjes me Serbinë, kur në tenda kemi qëndruar në të ftohtë para dyerve të Kuvendit për të mos lejuar amnestimin e kriminelëve serbë”.

“Atëherë deputetët dhe analistët e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne. E tash, ja ky i kemi çetikët në pushtet, në nëntë komuna të Kosovës”.

“Kur ne thoshim se po sajohet Republika Serbe në Kosovë, na shanin e na fyenin, na përqeshnin e zgërdhiheshin”.

“Tash që të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëm. Por, kjo është tepër pak, tepër vonë e aspak e sinqertë”.

Albin Kurti u ka bërë thirrje partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i pranojnë ulëset e rezervuara, të cilat ai i ka quajtur të dëmshme për të ardhmen e Kosovës.

“Ne edhe sot ju bëjmë thirrje subjekteve tjera dhe gjithë deputeteve t’u thonë Jo ulëseve të rezervuara, sepse kështu i thoni Po demokracisë”.

“I thoni Jo çetnikëve të Listës Serbe, sepse kështu i thoni Po historisë dhe Republikës sonë”.

“I thoni jo Qeverisë Thaçi, sepse kështu i thoni Po popullit dhe ardhmërisë së fëmijëve tuaj”.

“Anëtarët dhe përfaqësuesit e Listës Serbë janë çetnikë, e morën pushtetin në 9 komuna të Kosovës dhe vitin e ardhshëm po bëhen gati që t’i marrin mbi 20 vende në Kuvendin e Kosovës”.

“Duket që tash Dacici po ja përgatit Thaçit një vizitë në Veri”.

“Atij po i nevojitet Thaçi, për dallim prej neve si Kosovë, si Republikë, si shtet, si popull. Sepse, edhe Trepçën e Ujmanin po duan t’i sjellin në tryezën e Brukselit ku Thaçi flet e shërben, kurse Daçiçi ushqehet”

“Konteksti politik i negociatave në Bruksel është ai që të drejtat e serbëve në Kosovë i bënë të drejtat e Serbisë mbi Kosovën. Po ndryshohet vazhdimisht shteti i Kosovës, në mënyrë që kudo të jetë e pranishme Serbia”.

“Thaçi është demokrat e zemërgjerë ndaj Serbisë, kurse autoritar e meskin brenda Kosovës”.

Duke folur për Vetëvendosjen, Kurti tha se kjo lëvizje i ka kontribuar shtet ndërtimit dhe demokracisë si askush tjetër në Kosovë.

“Edhe atëherë kur duhej mbrojtur Republikën, edhe atëherë kur duhej mbrojtur vota e qytetarit”.

Ai tha se Vetëvendosje nuk është e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të fundit,  pasi sipas tij, pritjet e saj janë për të fituar gjithandej Kosovës.

“Nuk jemi të kënaqur me atë që kemi arritur dhe gjithmonë do të jemi të pakënaqur përderisa nuk fitojmë plotësisht dhe gjithandej në Kosovë”.

“Mirëpo, me 1 Dhjetor korrëm një fitore të madhe në balotazh në Prishtinë ku Nënkryetari ynë, Shpend Ahmeti mundi Kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa i cili kishte qenë gjashtë vjet në pushtet nga 13 sosh sa ishte partia e tij në kryeqytet”.

“Është fitore madhështore sepse është tërësisht e pastër”.

“Këso fitore nuk ka në Kosovën e pasluftës, sepse fituam pa pasur mediet tona, sepse fituam pa marrë dorë te ambasadat, sepse fituam pa i pasur milionat, dhe sepse fituam pa bërë koalicione pa bërë koalicione me partitë tjetër”.

“Tani ende pa u bërë as 3 muaj do të na vlerësojnë për qeverisjen në Prishtinë”.

“Tash, do të ndalen të këqijat që në kryeqytet vinin nga pushteti komunal ose lejoheshin nga pushteti komunal si dhe njëkohësisht do të nisin punët e mbara e të mirë për gjithë qytetin e komunën, për gjithë banorët e secilën lagje, nga kryetari Shpend Ahmeti dhe qeverisja e Vetëvendosjes”.

“Hallexhinj ka shumë dhe pritjet janë shumë të mëdha”.

“Shpendi dhe ekipi i tij kanë nevojë për shumë ndihmë dhe përkrahje nga të gjithë ne”.

“Vota për Shpendin nuk shënon fundin por fillimin e pafund të punës deri në realizimin e të gjitha zotimeve të cilat do ta transformojnë Komunën më të madhe të Kosovës, Kryeqytetin e Republikës sonë”.

“Kur të ndryshon Prishtina nuk mund të mbetet e njëjtë as Kosova, pastaj”.

“Ne duhet të japim shembull, ne duhet të bëhemi shembull për secilën komunë tjetër, për çdo njërin zyrtar kudo dhe kurdo në Kosovë”.

“Betejat kryesore i kemi para nesh dhe jo pas nesh. Kjo vetëm sa do të thotë se fitoret kryesore, po ashtu, i kemi para nesh”.

Kurti tha se viti 2014 është vit shumë i rëndësishëm për Kosovën. Për bindjen e tij, ai tha se do të jetë viti më i rëndësishëm në Kosovën e pasluftës.

“Sepse ky është vit i pakrahasueshëm me të tjerët sepse Vetëvendosje do të qeverisë, sepse është vit kur duhet shpëtuar Republika dhe duhet ngjallur shpresa për zhvillim”.

“Në vitin 2014 do të shohim gjëra të papara në Kosovë më herët”.

“Do të shohim qeverisje të mirë dhe demokratike, do të shohim Kryetar modest që i bënë njerëzit modest, do të shohim punë dhe plan sipas Ligjit”.