Lista Serbe do të mbajë takime mujore me Vuçiqin

Përfaqësuesit e 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të mbajnë javën e ardhshme një mbledhje të përbashkët në Qeverinë e Serbisë.

Lajme

11/03/2015 13:59

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i cili pas një takimi që pati me përfaqësues të Listës Serbe, tha se në këtë takim do të diskutohet për kthimin e këtij subjekti politikë në institucionet e Kosovës.

Gjuriq në një prononcim për gazetar pranë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, ka thënë se gjatë këtij takimi do të trajtohet edhe shkarkimi i ish-ministri Aleksandar Jabllanoviq, transmeton lajmi.net.

“Në takimin, ku morën pjesë edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të serbëve nga qeveria dhe parlamenti i Kosovës kanë folur për rastin e Oliver Ivanoviqit, si dhe për hapat e më tejmë të tyre, pas shkarkimit të Jabllanoviqit”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, gjatë këtij takimi është vendosur që konsultimet e përfaqësuesve të Listës Serbe me qeverinë në Beograd të mbahen çdo muaj, ndërsa, takimet në mes vetë përfaqësuesve serbë në Kosovë, të jenë javore.