Lista për deputetë shkakton pakënaqësi dhe përçarje në PDK

Në kohën kur udhëheqësia e PDK-së kishte paralajmëruar se në listën për deputetë për zgjedhjet e 8 qershorit nuk do të ketë persona të që janë nën hetime nga organet e drejtësisë, pritej se ajo nuk do ta ketë të lehtë të gjejë emra adekuat për të mbushur listën e saj. 

Lajme

17/05/2014 19:20

Kur mendohej që lista e kësaj partie të jetë e dominuar në fillim të saj me figura të respektuara të partisë, të cilët kanë përvojë brenda saj që sjellin vota, ajo përkundrazi është e mbushur me emra të rinj, disa të papërvojë e të tjerë individë të cilët nuk pritet t’i sjellin vota partisë, por përkundrazi, ndoshta edhe t’ia zvogëlojnë ato. 

Burime brenda partisë tregojnë që lista e publikuar ka shkaktuar habi dhe pakënaqësi të mëdha ndër anëtarë dhe zyrtarë të lartë të saj.

Në 10-shen e parë gjendet Hajredin Kuçi, edhe ashtu nuk prtitet t’i sjellë vota PDK-së, pasiqë kohëve të fundit vetë ka bërë të ditur për lodhje nga politika, duke paralajmëruar edhe tërheqje prej saj. Ai tashmë i ka bërë publike ambiciet e tij për të marrë postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas skadimit të mandatit Enver Hasanit, kryetar aktual. 

Asnjëri nga gjashtë ministrat e kabinetit aktual nuk kanë arritur të renditen në 25-shen e parë. Burime të lajmi.net tashmë bëjnë të ditur se ministri Agim Çeku, i renditur në pozitën e 58-të në listë ka paralajmëruar largimin nga lista dhe tërheqjen nga aktivitetet e partisë. 

Frustrimi ndër radhët e PDK-së rritet edhe më shumë me faktin se shumë nga pozitat në top 20-she u janë dhënë anëtarëve të partive tjera të vogla që kanë hyrë në koalicion me PDK-në. Pozita e shtatë është e rezervuar për Avni Klinakun e Lëvizjes për Bashkim kurse vendi i tetë për Ferid Aganin e Partisë së Drejtësisë.

Duket se LB dhe PD nuk do mund t\’i sjellin listës së PDK-së aq vota sa kjo parti mund t’i humbë si shkak i pakënaqësive të shkaktuara përbrenda strukturave. 

Edhe prurja e fundit në PDK, Margarita Kadriu, ka arritur të renditet lartë në majat e listës – në vendin nëntë. Deklaratat e saj se i është premtuar post ministror, si dhe pozicionimi në listë, kanë irrituar strukturat gjithandej Kosovës, thonë këto burime. 

Në listë nuk i është dhënë shumë peshë as strukturës së PDK-së në Prishtinë. Emri i parë në listë nga kryesia e degës është Memli Krasniqi, i renditur vetëm në vendin 49, kurse kryetari i degës, Lirak Çelaj renditet në pozitën 64. 

Përpos renditjes së “çoroditur” të listës, PDK nuk ka futur në listë shumë figura partiake të cilët i sjellin vota partisë në rajone ku ajo ka peshë më të madhe politike. Për shembull, listës i mungon ish komandanti i UÇK-së, Nuredin Lushtaku, dhe mjeku i respektuar, Fadil Beka, të cilët kanë fuqi për të mobilizuar apo në të kundërtën për të dekurajuar, mijëra votues të PDK-së në komunën e Skenderajt. 

Listës i mungon edhe Justina Pula Shiroka, e cila konsiderohet si njëra intelektualet e partisë dhe njëra nga prurjet e suksesshme në zgjedhjet e vitit 2007. 

Edhe shumë aktivistë të tjerë të partisë mungojnë në listë, të cilët kishin filluar fushatën e tyre personale për zgjedhje. Ata kishin hapur faqe nëpër rrjetet sociale dhe kishin lobuar me strukturat e partisë për të tërhequr përkrahës.

Pritet të shihet nëse PDK do bëjë ndryshime sonte, në afatin e fundit, për ti korrigjuar pakënaqësitë.

Përndryshe, nëse nuk adresohen frustrimet brenda partisë, pritet që nga nesër të ketë largime ose pasivizime të aktiviteteve të individëve me influencë në zona të caktuara të partisë më të madhe në vend, e cila pretendon të fitojë mandatin e tretë radhazi të drejtimit të vendit.