Lirohet maturanti i arrestuar, policët nën hetime

Policia e Kosovës ka liruar maturantin të cilin e kishte arrestuar të shtunën gjatë kohës së mbajtjes së testit të maturës në Kaçanik ndërsa ka paralajmëruar hetim për policët që e arrestuan atë.

Lajme

07/09/2015 16:59

Arrestimi i maturantit ka ndodhur në shkollën “Emin Duraku” të Kaçanikut me pretekstin se ai kishte përdorur telefonin gjatë kohës sa po i nënshtrohej testit për ta fotografuar këtë test.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, tha sot për kallo.com se arrestimi ka ndodhur “pas kërkesës së administratorit se një nxënës po pengon mbarëvajtjen e procesit të testimit si dhe i njëjti është kapur nga mbikëqyrësi i asaj klase duke fotografuar pyetjet e testit dhe duke  tentuar që të njëjtat t‘i shpërndajë me telefon”.

Gashi tha se Policia e ka shoqëruar nxënësin në stacionin policor ku është intervistuar, ndërsa është njoftuar edhe prokurori lidhur me ketë rast.

Sipas tij, Prokurori ka kërkuar që të përgatitet një raport dhe të dërgohet në prokurori e cila më pas do t’i analizoj faktet të hapë rast, nëse ka elemente të veprës penale.

“Pas intervistimit, personi është liruar ndërsa nga ana e policisë janë duke u zhvilluar hetime preliminare ndaj zyrtarëve policore se a ka elemente të tejkalimit të autorizimeve dhe nëse dokumentohet se ka shkelje, lënda do të procedohet në Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Gashi.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Azem Guri, ka thënë për kallo.com se është në pritje të sqarimit të plotë zyrtar të asaj çfarë ka ndodhur të shtunën në këtë shkollë të Kaçanikut.

“Ne presim të dhënat me shkrim nga kryetari i Qendrës së Testimit por në bazë të njoftimit nga kjo qendër, maturanti nuk është sjellë mirë me kryetarin e qendrës”, tha Guri.

“Policia i di autorizimet e veta dhe ka asistuar në bazë të kërkesës sonë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ky rast.

“IPK nuk ka pranuar ndonjë rast të tillë nga Policia e Kosovës”, tha Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës.