Lirohet italiania që shpëtoi macen në Kosovë

Doktoresha ushtarake Barbara Balanzoni është liruar nga një gjykatë ushtarake italiane. Gjatë detyrës ushtarake në Kosovë, ajo kishte ndihmuar një mace dhe për këtë ishte akuzuar se kishte shkelur protokollin ushtarak.

Bota

07/02/2014 22:30

Një gjykatë ushtarake në Itali e ka gjetur të pafajshme një doktoreshë të ushtrisë, e cila thuhej se nuk iu kishte bindur urdhrave të ushtrisë, pasi që ajo kishte ndihmuar një mace që kishte probleme gjatë lindjes së koteleve të saj, në bazën ushtarake në Kosovë, në vitin 2012.

Doktoresha rezerviste e ushtrisë, Barbara Balanzoni, pas lirimit të saj, të premten, tha se ajo fillimisht ishte disiplinuar, e më pas ishte ngarkuar, pasi që ushtarët italianë kishin kërkuar që ajo të ndihmonte një mace e cila kishte probleme që të sillte në jetë kotelet e saj.

Macja e fundit e cila lindi, Balanzoni ia kishte vënë emrin Agata, dhe sipas doktoreshës macja do të kishte vdekur nëse ajo nuk do t’i ndihmonte.

Barbara Balanzoni ishte akuzuar për shkelje të protokollit, ku thuhet se kafshët duhet të trajtohen vetëm nga veterinarët. Por, doktoresha Balanzoni tha se në ato momente askush nuk ishte në bazë.

Avokati Balanzoni, Aldo Areddu, tha se ajo ende përballet me akuzat për shpifje dhe fyerje, të cilat ai thotë se janë si rezultat i tensioneve të shkaktuara lidhur me incidentin e maces.