Lirohet Dardan Molliqaj

(I plotësuar) Është liruar në procedurë të rregullt sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, pas paraqitjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sonte në mbrëmje. 

Lajme

22/05/2014 19:59

Atij i është thënë se duhet të paraqitet në gjykatë edhe njëherë me 29 të këtij muaji, ndërsa Erzen Vraniqi, zëdhënës në VV, thotë se kjo do të bëhet për tu mbyllur përfundimisht kjo lëndë. 

Ai ka thënë se detajet tjera do të bëhen të ditura nesër në një konferencë që do të mbajë vet Molliqaj.

 
________________________________
 
Policia e Kosovës, ka arrestuar sekretarin organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj. Ai është arrestuar pranë ndërtesës së Radio Televizionit 21, rreth orës 18 e 30. 
 
Molliqaj, ishte i ftuar mysafir në emisionin e lajmeve të orës 18 e 35 në këtë televizion. 
 
Mësohet se policia ka qenë duke e pritur atë te hyrja e televizionit, pasi njoftimi për pjesëmarrje të Molliqajt në edicionin e lajmeve, ka qenë i publikuar në faqen në Facebook të kësaj partie. 
 
Policia gjatë ditës kishte njoftuar se Molliqaj do të arrestohet në secilin moment posa ai të haset në rrugë apo gjetiu.  
 
Arrestimin e Molliqajt, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi. 

Policia kishte lëshuar një urdhër-arrest sot paradite ndaj Molliqajt, ndaj të cilit ka një rast të hapur për prishje të rendit dhe qetësisë publike, në një nga protestat e Lëvizjes Vetëvendosje kundër privatizimit.