Lingard krahason Ibrahimovic me Michael Jordan

Jesse Lingard beson se Ibrahimovic është i ngjashëm me Jordan.

Sport

24/05/2020 14:42

Seriali ‘The Last Dance’ ka zbuluar detaje që mund të mos i kemi ditur lidhur me Michael Jordan, duke shpërfaqur madhështinë e tij.

Mentaliteti fitues për të cilin flitet në atë serial ka nxitur shumë reagime lidhur me ikonën e Chicago Bulls.

Këtë serial e ka parë edhe Jesse Lingard. Madje, ai ka gjetur ngjashmëri mes Jordan dhe ish shokut të skuadrës, Zlatan Ibrahimovic.

“Ishte inspiruese të shihja etikën e punës së Jordan për t’i bërë shokët e skuadrës më të mirë dhe në fund iu shpagua. Ishte vërtetë inspiruese”, ka thënë Lingard, transmeton lajmi.net.

“Ai (Ibrahimovic) kishte këtë mentalitet fituesi; ai kishte luajtur me skuadra të mëdha më parë dhe kishte mentalitetin e fituesit. Ai erdhi te Man Utd dhe tha se donte trofe”, ka shtuar anglezi, duke ndërlidhur Jordan me Ibrahimovic.

Përkundër kësaj, Ibrahimovic nuk arriti të fitonte një Premierligë me Man Utd. /Lajmi.net/