Limaj: Tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog
Kuvendi i Kosovës, sot ka votuar Platformën e Dialogut me Serbinë.

Lajme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot Platformën për Dialogun me Serbinë, raporton lajmi.net.
Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se tani e tutje Delegacioni Shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialogun me Serbinë do ta ketë platformën e miratuar në Kuvend dhe se sipas tij, përmes ligjit përcaktohen kompetencat dhe detyrat e delegacionit shtetëror.
“Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që platforma e miratuar sot nga ligjvënësit paraqet unitetin e institucioneve të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë”, ka shkruar Limaj ndër të tjera, përcjell lajmi.net.
Postimi i plotë i Limajt pa ndërhyrje:
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot i miratuan Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës si dhe Platformën për dialog më Serbinë.
Nga tani e tutje Delegacioni Shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialogun me Serbinë do ta ketë platformën e miratuar në Kuvend dhe përmes ligjit përcaktohen kompetencat dhe detyrat e delegacionit shtetëror.
Platforma e miratuar në Kuvendin e Kosovës përmban parimet mbi bazën e të cilave do të futemi në dialogun e mundshëm me Serbinë.
Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që platforma e miratuar sot nga ligjvënësit paraqet unitetin e institucioneve të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.
Tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog.
Sa u përket objektivave tona në dialog, ato tanimë janë të njohura; Kosova hyn në dialog për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke, mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe hap perspektivë të qartë euroatlantike për vendin dhe përfundimisht siguron paqe e mirëqenie për këtë pjesë të Ballkanit. /Lajmi.net/