Limaj, studentëve: Shteti është i shenjtë, mos e ngatërroni me pushtetin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka pasur bashkëbisedim të hapur me studentë të Universitetit të Prishtinës.

Lajme

15/02/2018 13:50

Gjatë këtij bashkëbisedimi studentët e kanë pyetur Limajn për çështje të ndryshme që i preokupojnë ata siç janë liberalizimi i vizave, hapja e vendeve të punës dhe përmirësimi i cilësisë në arsim. Limaj i ka porositur studentët që të jenë pjesë aktive e shoqërisë, duke shtuar se detyra kryesore e studentëve është t’i kryejnë detyrat sa më mirë. Sa i përket liberalizimit të vizave, numri dy i qeverisë Haradinaj ka thënë se shumë shpejt presin lajme të mira në këtë drejtim. I pyetur se cilat projekte ndihet krenar, Limaj ka përmendur ndërtimin e autostradave në vend, Aeroportin e Prishtinës dhe asfaltimin e rrugëve në të gjithë vendin. Më tutje, Limaj ka porositur studentët që të mos e shajnë shtetin për shkak të pushtetit.

“Duhet të dallohet shteti nga pushteti. Nëse nuk jeni të kënaqur me drejtuesit ndërroni, por nuk ka gjë më fisnike se me deshtë shtetin. Nuk përmbyset shteti për me ndryshu pushtetin. Mos e identifikoni shtetin me pushtetin. Jemi republike parlamentarë. Shteti mbi të gjitha është i shenjtë”, ka thënë Limaj.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri ka përmendur stimulimin e prodhimit vendor si mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës. Limaj ka thënë se kjo gjeneratë është me fat që jeton në kohën e pavarësisë. Pavarësia, sipas tij, ka ardhur si rezultat i mundit dhe sakrificave të shumë burra e grave ndër shekuj.

Megjithatë, ka thënë se kjo nuk është Kosova të cilën e kemi ëndërruar, por duhet të punohet më shumë nga të gjithë.