Limaj: Shpresën për ndryshim e mbyti LDK-ja

Shpresa e qytetarëve se pas zgjedhjeve nacionale të vitit të kaluar do të ndryshohet qeverisja, tani është shuar të paktën edhe për disa vite.

Lajme

01/03/2015 12:35

Sipas kreut të Nismësd për Kosovën, këtë shpresë e mbyti LDK-ja, tek e cila, si partia e dytë e dalë nga procesi zgjedhor, ishte shpresa e elektoratit se do ta ndryshonte mentalitetin qeverisës të viteve të fundit.

Por, ajo vendosi për një sekondë ta rrënojë gjithë atë shpresë se Kosova do të qeverisë ndryshe. Kështu u shpreh në intervistë për KosovaPress Fatmir Limaj.

Kreu i Nismës tani pret që Isa Mustafa ta mbajë një premtim dhe shqetësim të tij, ç’kapjen e shtetit për të cilën kishte folur shumë në legjislaturën e kaluar dhe arriti të marrë votat me premtimin se shteti do të çlirohet nga ata që e kanë kapur.

Kurse Gjykata Speciale, sipas tij, cenon rëndë fundamentin e shoqërisë dhe ka rrënuar sistemin juridik në vend. Ndërkq, për sjelljen e Listës Serbe, Limaj thotë se Qeveria duhet t’ia bëjë me dije nëse do ose jo të jenë pjesë e ekzekutivit.

Limaj tha se ende nuk mund të flasë shumë për realizimin e premtimeve të kësaj qeverie sepse i duhet kohë, por sipas tij, LDK-ja e mbyti shpresën e qytetarëve për ndryshime.

“Për katër vite, drejtues të LDK-së, partisë së dytë, kanë alarmuar kapjen e shtetit, për katër vite kjo parti ka alarmuar për fenomenet negative që kanë ndodhur në shoqërinë e Kosovës. Me qindra e mijëra simpatizantë të kësaj partie i janë bashkuar kësaj kauze për ndryshime, duke punuar për ndryshime, duke lobuar për ndryshime. Fushata është zhvilluar për ndryshime, vota është kërkuar në emër të ndryshimit, çdo gjë ka shkuar në emër të ndryshimit dhe, në fund, çka ka ndodhur, për një minutë e djeg, e shkatërron gjithë atë kauzë në emër të ndryshimit dhe shkon e bashkohesh për vazhdimin e qeverisjes të cilën e ke sulmuar për katër vite dhe ke ftuar qytetarët rreth teje për ta ndryshuar qeverisjen, por veprimi i subjektit të dytë e mbyti shpresën për rotacion, për ndryshim të Qeverisë, e cila ishte shumë afër”, tha ai.

Limaj nuk dëshiron të paragjykoj nëse kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund, ndonëse nuk është çudi edhe nëse në mes të natës prishet koalicioni, meqë kjo ka ndodhur më parë. Por, nga kryeministri Isa Mustafa Limaj pret që ta përmbushë një shqetësim të tij që e kishte edhe në mandatin e kaluar si opozitë, edhe gjatë kohës së bllokut.

“Pres nga kryeministri që ta përmbushë një shqetësim të tij që ka pasur, në qoftë se e ka pasur sinqerisht, dhe një shqetësim që ka ndërtuar krejt konceptin e fushatës elektorale. Kryeministri aktual dhe lideri i partisë së dytë në zgjedhjet e kaluara ka dalë me teorinë kapja e shtetit, ejani ta shpëtojmë shtetin. E unë pres që tash, pasi deri dje si lider i opozitës nuk e ka pasur atë mundësi natyrshëm, tash si njëri i parë i qeverisë jo që ka mundësi por e ka obligim që ta ç’kapë shtetin, të fillojë çlirimin e institucioneve të pavarura, të ndërmarrjeve, të agjencioneve, të mediave dhe të bëjë hapa konkretë në ç’kapjen e shtetit”, shton ai.

Limaj duke folur për Gjykatën Speciale, thotë se drafti që kanë parë deri me tani ka rrënuar sistemin juridik në Kosovë, por sipas tij, edhe më e rëndësishme është ajo që ka prekur fundamentet e shoqërisë.

“Ajo që mua me shqetëson në draft që nuk mund të ndryshohet, nuk mund të preken, drafti nuk mund ta prek fondamentin e shoqërisë. Disa gjëra që unë kam parë në draft prekin fundamentin e të drejtave të njeriut, prekin fundamentin e barazisë së palëve dhe këto të drejta të fituara nuk janë të drejta të rezervuara të Kushtetutës së Kosovës, janë të drejta të fituara me të drejtën ndërkombëtare dhe të përqafuar nga Kushtetuta e Kosovës. Këto të drejta tregojnë se a jeni një shoqëri e qytetëruar apo jeni një shoqëri primitive. Këto të drejta fundamentale mbi të cilat është ndërtuar civilizimi perëndimor dhe ky draft prek pikërisht vlerat e civilizimit perëndimor të shoqërisë dhe këtë nuk mund ta ndryshoj Kuvendi i Kosovës, kjo është vlerë, ky është fondamenti i një shoqërie të qytetëruar”, thekson Limaj.

Ai thotë se nëse ata njerëz që e kanë shkruar këtë draft dhe ata që e kanë pranuar, nuk i kundërshtojnë këto dy baza, fundamente, praktikisht Kosova detyrohet të heq dorë nga ajo që shoqëritë perëndimore ndjehen krenare, për civilizimin e tyre, duke u bazuar në të drejtën e individit dhe barazinë e palëve.

Kreu i Nismës thotë se në emër të asnjë gjëje nuk duhet të pranohet kjo, pasi krimet nuk mund të ndahen sipas nacionalitetit.

(KosovaPress)