Limaj: Prokuroria ka tentuar të mbysë zërat e dëshmitarëve raportues

Ish-ministri i Transportit, i ftuar në emisionin Rubikon të KTV-së, ka folur gjerë e gjatë në lidhje me akuzat dhe hetimet që janë bërë ndaj tij në rastin e korrupsionit në ministrinë që ai drejtonte.

Lajme

17/03/2015 21:09

Ai ka drejtuar akuza të shumta ndaj misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

“Zoti Wilkinson, më 2012, pas një përpjekjeje të vazhdueshme për t’u takuar me mua, jam takuar me të dhe ka shprehur brengosjen e tij në lidhje me atë që po ndodhte. Ka përmendur edhe emra të përveçëm, siç i përmendi edhe sot”.

Limaj ka thënë se nëse prokurorja Isabele Arnal ka dashur që ta arrestojë dikë me një vendim aq të shpejtë, të marrë brenda natës, siç ka thënë Wilkinson, “atëherë kjo gjë është brengosëse”.

Limaj ka thënë se duhet të hetohet i gjithë ky rast dhe të gjendet arsyeja përse prokurorja Arnal ka ndërmarrë një veprim të tillë.

“Unë ka 5 vite që kërkoj një hetim të këtillë. Jo vetëm se kemi hasur në vesh të shurdhër, jo vetëm se prokuroria s’ka ndërmarrë masa, por edhe ka tentuar t’i mbysë zërat e atyre dëshmitarëve që kanë dashur të thonë diçka”.

“Është publikuar një pjesë e transkriptit të SMS-ve të shkëputur nga biseda. Prokurori nxjerr vetëm ato që i nevojiten”, ka thënë Limaj, duke theksuar se mbrojtja e tij e posedon të gjithë bisedën.

“Këta e kanë shkëputur bisedën dhe kanë bërë montime”.

Limaj ka thënë se gjithmonë brenda institucioneve ka njerëz që hetojnë dhe raportojnë se diçka nuk po shkon si duhet brenda atij institucioni, siç është rasti i ish-hetuesit Wilkinson, me të cilin Limaj thotë të jetë takuar disa herë dhe i ka treguar për të gjitha këto shkelje ligjore, raporton KTV.