Limaj: Pezullimi i privatizimit, fuqizon ekonominë dhe krijon vende të reja pune

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj e ka mirëpritur vendimin e qeverisë për pezullimin e privatizimit të tokave shoqërore.

Lajme

10/11/2017 14:59

Në facebook Limaj ka shkruar se me këtë vendim krijohen kushtet e nevojshem për investitorët e huaj, dhe krijohen mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Me vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës, për pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore, krijohen kushtet e nevojshme për investitorët e huaj e vendorë ashtu siç është paraparë edhe në Ligjin për Investime Strategjike për të investuar në Kosovë, investime këto të cilat hapin vende të reja pune dhe rrisin buxhetin e vendit. Pezullimi i privatizimit të tokave bujqësore ka qenë kërkesë e kahershme e shumë komunave të Kosovës, të cilat kanë vështirësi për të thithur investime në mungesë të hapësirave apo tokave publike. Në shumë raste kemi humbur investitorë, pasi s’kemi pasur ç’t’u ofrojmë”, ka shkruar Limaj në facebook.

Sipas Limajt, pezullimi i privatizimeve fuqizon ekonomike dhe gjithashtu ndikon në rritjen e buxhetit të Kosovës.

Limaj ka theksuar se me këtë vendim identifikohen zonat ku investitorët do të mund të investojnë.

“Vendimi i sotëm është lajm i mirë për Kosovën dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për të investuar në Kosovë. Me këtë vendim janë krijuar kushtet që organet kompetente të identifikojnë zonat ku investitorët do të mund të investonin. Vendimi i sotëm është në përputhje me vizionin e Qeverisë dhe në vazhdën e vendimeve të kësaj qeverie për fuqizimin e ekonomisë, thithjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e buxhetit të vendit”, ka shkruar Fatmir Limaj.

Vendimi i sotëm i qeverisë, pezullon privatizimin e tokave shoqërore për periudhë një vjeçare. /Lajmi.net/