Limaj për ftesat nga Specialja: Asgjë s’keni parë, çfarë keni për të parë

Kreu i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i njohur në luftën e Kosovës me nofkën Komandant Çeliku, ka folur rreth ftesave të Gjykatës Speciale, duke thënë se asgjë nuk ka ndodh deri tash, se çfarë do të ndodhë më vonë.

Lajme

08/11/2019 23:55

Ndërsa u diskutua ftesa për intervistim e Kadri Veselit, Limaj tha se Kosova është tronditur atë ditë kur u votua Gjykata dhe tani të gjithë do i shohin pasojat.

”Kosova është tronditur atë ditë kur është votuar Gjykata Speciale. Ata që se kanë ditë e kanë kuptuar sot. Nuk ka vend në botë, çka është duke ndodhur me ne. Me u ndjek krimi mbi baza etnike! – krimi është krim nuk njeh bazë etnike dhe me shku me ndjek një grupacion veç një etnitet e jo tjetrin, ky është racizëm, është e padrejtë”, ka thënë ai.

Limaj në Analizën Zgjedhore, paralajmëroi se nuk do të jenë vetëm këto ftesa ndaj liderëve për intervistim, pasi shtoi se pjesë e Speciales do të jetë secili pjesëtar i UÇK’së.

”Kjo asgjë s’është. Kurrgjë s’keni pa – çka keni me pa. Akuzat, gjykimet, dënimet e mundshme – për çka është krijuar Gjykata? Kush ka qenë pjesëtar i UÇK-së, krejt kanë me i thirrë”, ka thënë Limaj.