Limaj kërkon mobilizim për protestën e 18 prillit
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka kërkuar nga kryetarët e degëve të Nismës për Kosovën që të mobilizohen për protestën e 18 prillit të organizuar nga partitë opozitare.
Lajme
Në mbledhjen që ka mbajtur sot me kryetarët e degëve, sipas një komunikate të Nismës, thuhet se Limaj, ka kërkuar që protesta të jetë paqësore.
“Kryetari i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga kryetarët e degëve të NISMA-s, që të angazhohen sa më shumë në organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve për protestën që do mbahet me 18 Prill, e gjithashtu ka kërkuar që sa më shumë të shpërndahet mesazhi për protesta paqësore dhe dinjitoze”, ka thënë Limaj, thuhet në komunikatë të Nismës.
Partitë opozitare kanë paralajmëruar se me 18 prill do të organizohet protestë në Prishtinë, siç e kanë quajtur ata kundër kapjes së shtetit.
Disa nga temat për të cilat është bërë e ditur se do të protestohet janë: shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, Zbritja e tarifave të energjisë elektrike, dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, sjellja e një ligji i cili definon statusin e Trepçës, si dhe mos krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.