Limaj godet Pacollin: Kosova nuk ka pasur politikë të jashtme

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj ka deklaruar se një nga detyrat e para që e presin kryeministrin e ardhshëm të vendit është dialogu me Serbinë, pasi pa u zgjidhur çështja me Serbinë vendi nuk mund të ketë zhvillimin ekonomik që të gjithë e presin.

Lajme

20/09/2019 16:02

Limaj që ka marrë pjesë në debatin “Fol Hapur”, të organizuar nga Lëvizja Fol ka paraqitur programin qeverisës të koalicionit. Aty Limaj ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve të importuara nga shteti serb, ku ka thënë se duhet të ketë negociata edhe për taksën.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate u shpreh se vendi për të pasur investime nga jashtë duhet të zgjidh çështjen me Serbinë.

“Për të ardhur investimet nga jashtë duhet siguri dhe sistem të drejtësisë, siguria është përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë. Kjo pjesë e rajonit, Kosova dhe Serbia kur vinë investitorët shihet si një vend i pasigurt. Ka shumë oferta kapitali me shkuar në vende të sigurta pse me ardhë tek ne. Prandaj, është nga perspektiva ekonomike, është imediate që të rikthehemi në dialog fuqishëm dhe ta përmbyllim çështjen me Serbinë. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i ardhshëm detyrën e parë, një nga detyrat e para, e ka këtë çështje. Në tavolinën e tij ka me qenë dialogu dhe zhbllokimi i dialogut. Prandaj, apeli im ka qenë që të zotohemi në letrën që iu kam dërguar kolegëve, të zotohemi publikisht për t’ia lehtësuar kryeministrit të ardhshëm, që të mos kemi situata qysh kemi pasur në të kaluarën. Ne besojmë që po, dialogu do të jetë tema qendrore, të paktën nga pjesa e Kosovës të tregojmë gatishmërinë ton ë që ne jemi të gatshëm të futemi në dialog. Një marrëveshje e mundshme me Serbinë duhet të implementohet në Kosovë dhe duhet të ketë besimin edhe të Parlamentit, edhe të qytetarëve, të ketë dy të tretat në Kuvend dhe të fitohet në referendum nga qytetarët”, tha Limaj.

Ai tha se moszgjedhja e çështjes me Serbinë bënë që vendi të ketë probleme në integrimet evropiane, anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar. Ai përmendi edhe mos njohjen nga pesë shtetet e BE-së.

Limaj është pyetur edhe për qëndrimin e tij për taksën, ku tha se duhet të ketë negociata për taksën dhe të pushojnë arsyet ekonomike dhe politike që të kthehen në tavolinë për dialog.

“Taksa siç e dini qëndrimi im asnjëherë nuk ka lëvizur nga taksa, në kuptimin jo pse ne e themi se vendimet janë në proces dhe lëvizin sipas nevojave që ka vendi. Por kur është vendosur taksa, Qeveria e vendit ka ndërtuar pozicion politik dhe ai ka qenë taksa do të largohet kur të pushojnë arsyet, është prekur siguria kombëtare. Më vonë është avancuar taksa dhe u bë kusht njohja, shumë më vonë. Unë vazhdojë të përsërisë dhe mendoj që duhet të kemi edhe një negociatë për taksën dhe të pushojnë arsyet edhe ekonomike edhe politike dhe natyrisht të kthehemi në tavolinë, të zhbllokohet situata, të futemi në tavolinën e bisedimeve. Unë nesër si kryeministër i këtij vendi një nga veprimet e para do ta bëjë këtë”, u shpreh Limaj.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka paraqitur programin e tij qeverisës, ku ndër të tjera ka thënë se vendi ka nevojë për qeveri reformatore.

Ai bëri të ditur se planifikojnë rreth 500 mijë euro investime në bujqësi.

“Prioriteti im kryesor është dialogu, politika e jashtme, pastaj bujqësia. Ne besojmë shumë që bujqësia promotor i zhvillimit ekonomik të vendit tonë, mundësi për hapje të vendeve të punës, mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, një mundësi që vendi ynë duke investuar fuqishëm në bujqësi ka një mundësi të jashtëzakonshme  për të rritur buxhetet familjare, komunale dhe vet buxhetin shtetëror. Ideja ime është që Kosovën në sektorin e bujqësisë të bëhet zoonimi i Kosovës, të dihet qartë me zona se çka kultivohet në Kosovë…Si objektiv i dytë i imi është paketa sociale, tashmë ju qysh e dini si program socialdemokrat këto vitet e fundit jemi munduar fuqishëm ta fusim çështjen sociale në agjendë edhe në Parlament edhe në Qeveri…Shtesat e fëmijëve, ne besojmë se është momenti i fundit kur prindërit e Kosovës kanë të drejtë të gëzojnë shtesat për fëmijët e tyre”, tha ai.

Ndër prioritetet, Limaj tha se e kanë edhe sigurimin social, sigurimin shëndetësor, reformën në drejtësi, fuqizimin dhe mbrojtjen e prodhuesve vendor, si dhe fuqizimin e diasporës.

Pretendenti për kryeministër është pyetur se cili do të jetë vendimi i parë si kryeministër.

“Vendimi i parë është një kafe joformale me ministrat. Siç e dini është një rregull e pashkruar që në 100 ditësh të matet performanca e qeverisë, unë do t’ua jap një afat gjashtëmujor ministrave, i kanë gjashtë muaj nga prioritetet e tyre që ata kanë me i nxjerrë në tavolinë dy, tri prioritetet që i kanë në gjashtë muaj për të matur preferencën e tyre, a kanë arritur për gjashtë muaj t’i realizojnë objektivat e tyre gjashtëmujore. Tjetra, brenda 10 ditëve të mi sjellin tri defekte, tri probleme kryesore me të cilat ballafaqohet ministria e tyre e që pa zgjidhjen e tyre ata e kanë problem për të funksionuar si ministri”, u shpreh Limaj.

Pyetje për Limajn ka pasur edhe për atë se kush mund të jenë bashkëpunëtorët e tij pas zgjedhjeve, ku ai tha se nuk do të pranonte të bashkëpunonte me askënd nëse nuk merren vesh për pikat programore.

Kreu i Nismës ka folur edhe për politikën e jashtme, ku ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një politikë të jashtme të mirëfilltë.

“Nëse e shikojmë me kujdes, nuk ndërtohet politika e jashtme nga një ministër dhe nëse kjo politikë e jashtme paska degraduar në dy vitet e fundit ku kemi qenë para dy viteve. Nëse është vetëm për këto dy vite ne po ia bëjmë zgjidhjen shpejt po kryhet kjo punë, ku ka qenë politika e jashtme para dy viteve. Politikë të jashtme Kosova në fakt nuk ka pasur hiç që kur është bërë shtet, ka qenë vetëm një angazhim me ndërtua ambasada dhe me e dërgua ndonjë njëri. Edhe një herë po e them, politika, sistemi jonë pa një vullnet, pa një konsultim me kryeministrin, pa i dhënë kryeministri prioritetet”, tha ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për kryeministër është pyetur se çka mendon për komunitetin LGBT, për çka ai tha se  Kosova qëndron më mirë se të gjitha vendet tjera me aspektin kushtetuese. Limaj tha se çdo qytetar ka të drejtë të t’i gëzojë të gjitha liritë e mundshme, ai tha se e dëshiron një shoqëri të lirë ku çdo njeri ka të drejtë të shprehë ndjenjat, dëshirat, ai tha se edhe nga parimi socialdemokrat i mbështesin.