Limaj e Krasniqi janë të mirëpritur në PDK

Kadri Veseli, në intervistë për Klan Kosova, flet për situatën brenda PDK'së. Thotë se angazhimi i tij në parti është i fokusuar në integrim dhe jo në përjashtim. Ai deklaron se Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj kanë vend në parti dhe janë të mirëpritur aty.

Lajme

26/12/2013 17:54

(E Plotësuar)

 

Nuk e dëshiron koalicionin veç me AAK, gjithsesi me LDK’në

Kadri Veseli, gjatë intervistës për Zonën e Debatit, në Klan Kosova, nuk shprehet me shumë entuziazëm për një koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme mes PDK’së dhe AAK’së. Ai duket se më tepër preferon ta ketë për partner LDK’në.

Qëndrimi i tij personal është për një koalicion më të fuqishëm, duke nënkuptuar një koalicion mes dy partive më të mëdha në vend.

“Ne duhet të kërkojmë koalicion të fuqishëm, ky është qëndrim të paktën për të cilin mbaj përgjegjësi personale, nuk është qëndrim i partisë”.

“Unë jam PRO një koalicioni të fuqishëm, një koalicion i cili ka perspektivë, i cili ka resurse humane të gjëra të njerëzve të përgatitur por jo përjashtues”.

“Unë nuk jam kundër koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk jam entuziast se do t`i sjellë Kosovës në të ardhëm kualitet të fuqishëm të zhvillimit”.

“Gjithsesi me LDK`në. Por, pse mos të jetë aty edhe AAK, ndoshta edhe ndonjë parti tjetër”.

Për Ramush Haradinaj, ndërkaq, Veseli ka një porosi. Thotë se duhet ta dijë se askush askënd nuk mund ta dëmtojë në këtë botë më shumë se vetja e tij.

Ai, po ashtu, ka folur edhe për raportet e tij me Hashim Thaçin.

“Kemi koncepte të cilat mundohemi t`i zhvillojmë për të mirën e vendit, kemi përgjegjësi të cilat angazhohemi bashkërisht, por ajo çfarë do të bëjmë çdoherë do të jetë respektimi  dhe interesi i qytetarëve të këtij vendi”.

“Është e vërtetë që jemi miq. Nuk besoj se nuk mund ta kem mik as z. Krasniqi, as z. Limaj. Unë dëshiroj t`i kem miq të gjithë njerëzit të cilët janë të sinqertë”.

 

Për humbjet në Mitrovicë…

Humbjen e PDK’së në Mitrovicë, prej nga vjen vetë Kadri Veseli, ai e ka komentuar si reflektim të qytetarëve të cilin e respekton.

“Qytetarët e mi, bashkëvendasit e mi të Mitrovicës, në një rrethanë të caktuar, në një imponim të situatës, veçanërisht sociale, kanë besuar tek një opsion i cili do të mund t`i nxjerrë në një situatë më të mirë, në mënyrë magjike. Unë i besoj qytetarëve të Komunës sime, unë e besoj vendimin e tyre, e po ashtu nuk kam dëshirë që të ndodhin zhgënjime nga të cilat mund të jenë të rënda”.

“Partia Demokratike e Kosovës në shumicën e komunave ka pasur një rezultat solid, në distancë të madhe prej vendit të dytë.”

“Është reflektim i qytetarëve të cilin duam ta respektojmë. Besoj se qytetarët tanë vlerësojnë pavarësisht se ne ndonjëherë mund të mos pajtohemi me një gjykim të caktuar, për arsye se nganjëherë nuk na pëlqen, por ne duhet ta pranojmë një fakt dhe mos të futemi në aspektin e perceptimeve të cilat janë jo reale, realiteti është ky në të cilin jemi, në të cilin PDK e pranon dhe e respekton”.

“Çdo vendim i qytetarëve kudo që  të ndodhë, për ne do të jetë i respektueshëm, nuk do të ketë as mallkim as sharje”.

 

Limaj e Krasniqi janë të mirëpritur në PDK

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë që do të transmetohet sonte në orën 20:45 në Zonën e Debatit, në Klan Kosova, ka thënë se puna e tij në parti do të bazohet në logjikën e integrimeve dhe jo të përjashtimeve.

Kështu, ai ka komentuar situatën e fundit brenda PDK’së dhe paralajmërimet për mundësinë e formimit të një partie të re nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi.

“Unë besoj në pjekurinë e tyre. Unë besoj në maturinë e tyre serioze, në vendimin e tyre dhe gjykimin e tyre të cilin do ta kenë konform interesit të atyre njerëzve të cilët ju kanë besuar për 14 vjet, të cilët nuk ju kanë ndarë asnjëherë për 14 vjet, të cilët asnjëherë nuk kanë përfituar për 14 vjet”.

“Kemi të bëjmë për një situatë që ka qenë pa ardhur unë në PDK, dhe e  cila besoj se mund të tejkalohet shumë lehtësisht”.

“Ka më shumë gjëra të cilat na bashkojnë sesa që na ndajnë. Në këtë kontekst e kam parasysh edhe raportim tim me z. Limajn edhe z. Krasniqi,  edhe raportin e z.Thaçi me z. Limaj dhe z. Krasniqi”.

“Nuk besoj se ka arsye për ndarje. Besoj se ka shumë më shumë arsye të fokusohemi në çështjet që janë më madhore, të cilat kanë të bëjnë me një interes të atyre njerëzve që vërtet na kanë besuar dhe na besojnë. Sot ata nuk duan ndarje, por duan afrim”.

“Unë do të angazhohem dhe do të përkushtohem për logjikën e integrimeve, përderisa jam në PDK, e nuk do të angazhohem për logjikën e përjashtimeve”.

“Unë besoj se z. Krasniqi dhe z. Limaj do të jenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, do ta kenë përkrahjen time të vazhdueshme, për arse se ata kanë qenë në PDK pa qenë unë”.

“Kjo vlen edhe për z. Limaj edhe për z. Krasniqi, të cilët besoj se shumë më shumë mund të japin kontributin në PDK. Ata janë të mirëpritur në PDK.”

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Kadri Veseli, në vijim të intervistës së tij për Zonën e Debatit, në Klan Kosova, thotë se nuk është asgjë befasuese një takim i mundshëm i përfolur mes Thaçit dhe Limajt.

“Qëndrimi im personal human dhe në të njëjtën kohë qëndrimi im zyrtar e politik,  si Zëvendëskryetar i PDK’së, ku edhe z. Limaj dhe z. Krasniqi janë të përfshirë në organet e Kryesisë, është që ata të jenë aty për të mirën e votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, jo për të mirën e z. Veseli e z. Thaçi, por për të mirën e votuesve, strukturave të partisë, në mënyrën e zhvillimit të konceptit për të ardhmen e vendit”.

“Z. Krasniqi dhe z.Limaj kanë vend në Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe një herë duhet ta kuptojmë se PDK nuk është parti e individëve, as e z. Thaçi, as e z.Veseli”.

 

Për letrat e Sokol Bashotës dhe Isni Kilajt…

Në lidhje me letrat publike të Kryetarit të PDK’së në Klinë, Sokol Bashota dhe të atij në Malishevë, Isni Kilaj, përmes të cilave ata kërkuan nga Hashim Thaçi përjashtimin e Limajt dhe Krasniqit nga partia, Veseli thotë se mënyrë më e shëndosh do të ishte që ata këto qëndrime t’i paraqisnin në forumet e partisë dhe jo në publik.

“Mendimi më i shëndosh do të ishte në kuadër të strukturave të PDK`së, për arsye se ata jo vetëm që janë kryetarë të degëve por janë edhe në Këshillin Drejtues”.

Veseli thotë se nuk do t`i preferonte askujt që për qëndrime personale të ikë nga PDK, kur ende ka hapësirë për debat.