Ligji për veteranët pa kritere, sipas Selimit
Deputeti Rexhep Selimi ka kritikuar Qeverinë për bërjen e ligjit për veteranët e luftës në kohë parazgjedhore. Ai pyet Agim Çekun pse një gjë e tillë s’është bërë që nga fillimi i qeverisjes së PDK’së. Çeku thotë se ligj njeh kontributin e veteranëve.

Lajme
Edhe pse tanimë është proceduar në Kuvendin e Kosovës, ligji për veteranët nuk po duket për disa si i drejtë.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, përballë Ministrit të FSK’së, Agim Çeku, ka kritikuar për “ardhjen e vonshme dhe të pa kritere” të ligjit për veteranët.
Selimi, gjatë një debati në Emisionin Puls të KTV’së, i ka bërë me dije Ministrit Çeku se numri i madh i aplikantëve për veteranë është për shkak të mospërcaktimit të kritereve në ligjin për veteranët.
“Do të duhej që fillimisht Qeveria Thaçi, e cila pretendon që e ka mbështetjen e veteranëve, është dashur ta bëjë ligjin në fillim të qeverisjes. As në mandatin e parë, as në të dytin, nuk është sjellë ky ligj në Kuvend, as atëherë kur ka pasur grevë, aq më tepër shumica të plagosur, invalidë, kanë qëndruar dy muaj para parlamentit”.
“Nuk ka kritere prandaj kanë aplikuar rreth 60 mijë, nuk do të mund të kalohej verifikimi kështu për shkak se nuk janë parashtruar kritere. Është dashur që kriteret të jenë pjesë e ligjit”.
“Veterani i luftës së UÇK’së duhet të ishte pjesëtari i luftës së UÇK’së në zonën e luftës. Nuk mund të jenë veteran ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë”.
Në anën tjetër, Ministri i FSK’së, Agim Çeku, ka thënë se në hartimin e këtij ligji kanë qenë të pranishëm veteranë e përfaqësues shoqatash, por gjatë kësaj rruge, pengesë e shumës së caktuar për ta u është bërë kufizimi buxhetor.
“Në hartimin e ligjit për veteranët kanë qenë edhe përfaqësues të shoqatave, kanë qenë edhe veteranët, por janë marrë parasysh kufizimet buxhetore.”
“Unë mendoj se është një ligj që së paku e njeh kontributin e veteranëve. Minimumi do të jetë paga minimale. Qeveria do të vendosë sa do të jetë saktë”.
“Ende s’ka shifër për numrin e veteranëve, ne jemi duke e bërë verifikimin, numri i saktë do të dalë”.
Çeku gjithashtu ka folur edhe për shndërrimin e FSK’së në FAK, ku ka thënë se janë duke punuar për integrim në NATO.
“NATO i pranon vendet kur ato janë gati. Edhe ne jemi duke u bërë gati, ky është një hap i madh kur ne po bëhemi gati edhe për t’u integruar. Ky është një rezultat i një studimi të thellë, që përfshinë ekspertët tanë dhe ekspertë edhe të PENTAGON’it”.
“Do ta kemi një forcë shumë bashkëkohore, për nga pamja, për nga paisja, për nga trajnimi. Lirisht mund të them se do të prijmë në rajon”.
“Procesi i ndërtimit të ushtrisë së Kosovës po përmbyllet, Kosova do t’i ketë forcat e veta të cilat i plotësojnë kërkesat e qytetarëve. Jemi në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe jemi në koordinim me vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar Çeku në Puls të KTV’së.