Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor tash e 10 muaj në sirtarët e Kushtetueses
Edhe pas më shumë se 10 muajsh, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë asnjë vendim për Ligjin për Sigurimin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Mos-hyrja në fuqi e këtij ligji të miratuar në fund të vitit të kaluar po konsiderohet pengesë në qasjen e pacientëve në shërbime shëndetësore dhe organizimin e këtyre shërbimeve. Nga Gjykata…
Lajme
Edhe pas më shumë se 10 muajsh, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë asnjë vendim për Ligjin për Sigurimin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Mos-hyrja në fuqi e këtij ligji të miratuar në fund të vitit të kaluar po konsiderohet pengesë në qasjen e pacientëve në shërbime shëndetësore dhe organizimin e këtyre shërbimeve.
Nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se ligji i kontestuar është në procedurë dhe vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese.
Partia Demokratike e Kosovës Ligjin për Sigurime të Detyrueshëm Shëndetësor e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se ka pasur shkelje procedurale.
“Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, MSH është njoftuar zyrtarisht që Ligji për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë jemi në pritje të Aktgjykimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i vlerëson si të ngadalshme përpjekjet institucionale për sigurimet shëndetësore.
Kryetari i PRAK, Besim Kodra thotë se me këtë qasje do të nevojiten edhe pesë vjet që qytetarët të gëzojnë sigurime shëndetësore. Ai thotë se pacientët kosovarë po ballafaqohen me barrë financiare për marrjen e shërbimeve shëndetësore.
“Mungesa e ligjit për sigurime shëndetësore e pengon edhe organizimin e sistemit shëndetësor në përgjithësi, por edhe marrjen e shërbimeve ndaj pacientëve. Shumë pacientë kanë barriera financiare për tu qasur në shërbime shëndetësore siç thotë Raporti i Progresit 18% e njerëzve nuk shkojnë fare te mjeku në pamundësi për t’i mbuluar tarifat financiare…Mundësia që në një të ardhme të afërt të fillojnë sigurimet shëndetësore është shumë-shumë i vogël….Padyshim që e rrit mirëqenien e njerëzve të paktën e garanton që njerëzit kur kanë më së shumti nevojë për shërbime shëndetësore mund t’i marrin ato pa pas barriera financiare…për mua janë të pakuptueshme që përpjekjet për t’i bërë sigurimet shëndetësore janë shumë të ngadalta duhet të kemi përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për të arritur një rezultat solid, por përpjekjet duhet të jenë shumë intensive. Me këtë përpjekje që po bëhet aktualisht, minimumi që na duhet për të bërë sigurime është 5 vjet me një përpjekje shumë intensive”, theksoi ai.
Njohësi i politikave shëndetësore, Vlorjan Molliqaj vlerëson se ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor do ta lë një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare pa sigurime shëndetësore.
Ai konsideron se në mungesë të sigurimit shëndetësor qytetarët po paguajnë nga xhepi i tyre shërbime tejet të kushtueshme.
“Në mungesë të sigurimeve shëndetësore qytetarët e vendit këto shpenzime i paguajnë nga xhepi… Nëse do të kishim pasur sigurime shëndetësore, do të kishim arritur që secili qytetar i Kosovës të ketë qasje në shërbime shëndetësore dhe nën dy institucionet tona publike të forcohen kushtet për t’u përmirësuar edhe për stafin shëndetësor, por edhe shërbimet të kenë cilësi më të lartë… 02’39 Ky ligj parasheh që sigurimet shëndetësore të paguhen prej qytetarëve, secili qytetar do të paguajë një premium, e ata që nuk kanë mundësi e që janë të papunë, shembull, t’i mbulojë qeveria ato pengesa. Ajo që unë personalisht e shoh problematike në këtë ligj është se do ta lë një pjesë të madhe të shoqërisë të pasiguruar”, theksoi ai.
Më 2014 në Kuvendin e Kosovës u votua Ligji për sigurimet shëndetësore, e afati për hyrjen në fuqi të këtij ligji ishte paraparë 1 janari 2017. Ndërsa, një dekadë më vonë në vitin 2024 nga qeveria e tanishme në detyrë u hartua një dokument tjetër për sigurimet shëndetësore, i cili u votua në dhjetor 2024, por që u kontestua në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.
Kurse, në Shqipëri të gjithë shtetasit që paguajnë kontributet për sigurimet shëndetësore, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimeve mjekësore falas, si dhe rimbursim të barnave.
Sigurimi shëndetësor dhe pagesa e kontributeve përkatëse janë të detyrueshme për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Shqipëri, si të punësuarit; personat e vetëpunësuar; punonjësit e papaguar të familjes; apo dhe persona të tjerë ekonomikisht aktivë.
Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3,4% e bazës për llogaritjen e kontributeve. Për të punësuarit, kontributet paguhen, në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga punëdhënësi dhe në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga i punësuari. Si bazë për llogaritjen e kontributit shërben paga bruto e personit të siguruar
Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor në Shqipëri mbulon, gjithashtu, kategoritë e personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga Buxheti i Shtetit.
Ndërsa, përfitojnë vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike, që financohen nga sigurimi shëndetësor dhe në respektim të sistemit të referimit, vizitën falas në banesë – kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor, ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike, trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike, shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë, rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë; më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 % (për qind) të çmimit të barnave, por jo më shumë.
Kategoritë si pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë. E kategoritë si veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 % të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Në prillin e këtij viti në Maqedoni të Veriut doli se numri i përgjithshëm i përfituesve të sigurimeve shëndetësore është mbi një milion e 820 mijë, që është më shumë se numri i banorëve.
Shumë shërbime të kujdesit shëndetësor bazë janë falas ose me tarifë minimale për të siguruarit.
Përfitime të tjera deri në njëfarë mase janë kompensim i pagës gjatë paaftësisë për shkak të sëmundjes apo aksidentit, ose gjatë pushimit të lindjes/pas lindjes.
Në Malin e Zi sistemi i sigurimit shëndetësor mbulon gjithë banorët, pasi që qeveria ka bërë ndryshime drejt financimit nga taksat për kujdesin shëndetësor publik.
Për shembull, është njoftuar se për herë të parë në Malin e Zi do të ofrohen shërbime PET/CT për pacientët onkologjikë në vend, përmes fondit të sigurimit shëndetësor.
Gjithashtu, në këtë vend është sigurimi i detyrueshëm i shëndetit për punonjësit, ku punëdhënësi kontribuon për sigurim shëndetësor.
Shërbime si stomatologjia, kurimi privat, apo shërbime jo‐thelbësore kanë pagesë shtesë./kp