Ligji për Sigurime Shëndetësore miratohet javën e ardhshme

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se javën e ardhshme do të miratohet Ligji për Sigurime Shëndetësore në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

05/04/2014 21:35

Agani ka konfirmuar se gjatë javës së ardhshme do të miratohet Ligji në Kuvend, pasi është miratuar në dëgjim të parë.

“Ligjin për Sigurime Shëndetësore e kemi dakorduar dhe miratuar në Kuvend të Kosovës në dëgjim të parë. Ligji do të miratohet javën që vjen dhe sigurimet shëndetësore në Kosovë fillojnë në vitin 2015. Kështu, ky problem hiqet përfundimisht nga rendi i ditës”, ka deklaruar Agani në emisionin “Vikendi” të RTK-së.

Ndërkohë, duke folur për sistemin shëndetësor në vend, Agani tha se gjatë tre vjetëve të udhëheqjes së tij në këtë Ministri janë bërë shumë punë, derisa tha se janë miratuar ligje të fuqishme.

“Unë jam në pozitë mjaft të vështirë këto ditë, praktikisht në fund të mandatit si Ministër i Shëndetësisë e në fillim të reformës së sistemit shëndetësor, do të thotë më shumë se tri vite kemi punuar shumë që me të shtrojmë një themel të shëndoshë për ndryshime në shëndetësinë kosovare që të arrijmë një shëndetësi evropiane dhe këtë e kemi arritur.”

“I kemi miratuar disa ligje të fuqishme, ligje shumë të mira të mbështetura edhe nga faktorët më të rëndësishëm të vendit por edhe faktorët ndërkombëtar.”

RTKLive