Ligji për duhanin shkelet më së shumti nëpër institucionet e pushtetit gjyqësor!

Ligji i cili ndalon prijën e duhanit në ambientet të mbyllura vazhdon të mos respektohet. Ky ligj nuk respektohet as në institucione publike. Objektet komunale dhe ato të gjykatave, janë shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji. 

Lajme

12/11/2014 16:33

Sipas të dhënave të prezantuara nga hulumtimi i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim të Kosovës (KADC), të bërë gjatë muajit tetor të këtij viti, del se objektet komunale dhe ato gjyqësore janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit në ambientet të mbyllura.

Arben Lila, menaxher në KADC, tha se mos respektimi i këtij ligji, në  objektet komunale është  22.2 për qind dhe gjykatat 20 për qind.

“Niveli i shkeljes së ligjit në shkallë të vendit në institucionet publike ka qenë sipas rezultateve e gjetjeve tona, në institucionet shëndetësore 7.7 për qind, në universitete e kolegje 8.8 për qind, në shkollat e mesme 16.2 për qind, në gjykata 20 për qind dhe shkeljet më të mëdha më të mëdha dhe më të shpeshta janë në objektet komunale me 22.2 për qind, pra objektet komunale dhe gjykatat, në këto institucione janë shkeljet më të mëdha, sipas monitorimit në shkallë të vendit”, ka thënë ai.

Monitorimi është bërë në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj.

E në Prishtinë ka dalë të ketë zbatueshmëri më të madhe të këtij ligji.

Rezultatet e monitorimit tregojnë se shkeljet e ligjit në sektorin e gastronomisë, deri në ora 16:00 janë 21.7 për qind. Ato shpeshtohen nga ora 16:00 deri në ora 20:00 në 38.2 për qind dhe pas orës 20:00 arrijnë në 59.7 për qind.

Në këtë prezantim të rezultateve, u tha se 4 punonjës të Gjykatës Themeloren në Ferizaj janë dënuar nga 50 euro për mosrespektim të ligjit për kontrollin e duhanit.

Sipas të dhënave të KADC, në kundërshtim me ligjin janë edhe ndarjet e hapësirave për pirjen e duhanit.

Kurse Ibrahim Tërshnjaku, shef i inspektoratit sanitar, tha se për të kryer inspektorati punën e tij, duhet bashkëpunim edhe nga akterët e tjerë të përfshirën zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.

“Derisa shihet së në institucionet shëndetësore ka 8 për qind të shkeljeve, në gjykata, nëpër ato institucione ku mekanizmi ligjor duhet të zbatohet, atëherë është vërtetë injoruese për të gjithë ata të cilët udhëheqin shtetin e Kosovës, duke u nisur që nga kreu i shtetit e deri te akteri më i fundit i cila e ka në kompetencë”.

“Shihet se kjo formë e injorimit të këtij ligji po e dekurajon edhe këtë institucion tonin që kemi mbetur si lider për të zbatuar ligjin”, ka thënë ai.

Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013, i cili ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike.