Ligji për çmimin e barnave ende s’ka nisur të zbatohet

Ligji për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale nga viti i kaluar hyri në fuqi, megjithatë sfidë për të mbetet zbatueshmëria. Derisa vetë qëllimi i ligjit për çmimin e barnave ishte kursimi i xhepit të qytetarëve edhe pse ka kaluar më shumë se 1 viti prej kur ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës…

Lajme

14/09/2024 08:11

Ligji për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale nga viti i kaluar hyri në fuqi, megjithatë sfidë për të mbetet zbatueshmëria.

Derisa vetë qëllimi i ligjit për çmimin e barnave ishte kursimi i xhepit të qytetarëve edhe pse ka kaluar më shumë se 1 viti prej kur ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës pacientët po detyrohen të bredhin nga një barnatore në tjetrën për të blerë barna me çmime më të ulëta.

Ditë më parë Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka publikuar listën preliminare të çmimeve të produkteve medicinale.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo listë aktualisht ndodhet në procedurat e ankimimit dhe si e tillë nuk ka fuqi obligative.

“Në bazë të dispozitave ligjore të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, në përputhje me Vendimin Nr. 05-5084 ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale të regjistruara nga Bartësit e Autorizim Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit, lista e publikuar është listë preliminare dhe si e tillë nuk ka fuqi obligative”, thuhej në shkresën e ministrinë e Shëndetësisë.

Zëvendës kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha u shpreh se ligji për normalizim të çmimit të medikameve për shkaqe teknike nuk po mund të zbatohet.

Sipas tij zbatueshmëria e këtij ligji është domosdoshmëri për sektorin farmaceotik.

Haxhijaha thekson se ligji për unifikim të çmimit të barnave krahas uljes së çmimit të barnave mundëson edhe luftimin e tregut ilegal.

“Ky ligj është i domosdoshëm, ky ligj do të ndikoj edhe në mënyrë direkte edhe në uljen e çmimeve për pacientët, pastaj edhe në unifikimin e të gjitha barnatoreve të licencuara në Kosovë po përveç kësaj edhe zvogëlimin e tregut ilegal mos të themi eliminimin. Në këtë rast do të kemi barna kudo të njëjta dhe nuk do të ketë nevojë që të përdoret tregu ilegal në Maqedoni, Shqipëri apo vende tjera. E fundit me këtë ligj që është i domosdoshëm do të kthehet edhe profesionalizmi i farmacistit dhe në momentin që e kemi këtë ligj do të kemi konkurrencë profesionale….04’37Oda e Farmacistëve përkrahë fuqishëm implementimin sa më të shpejtë të ligjit për çmimin e barnave”, tha ai.

Skeptik për zbatueshmërinë e ligjit për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale shprehen nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Sipas Besim Kodrës nga kjo Shoqatë, ky ligj mund të zbatohet vetëm pas funksionalizimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Kodra ngriti shqetësime që pacientët në Kosovë po vazhdojnë të blejnë medikamente me çmime abuzive.

“Abuzimet në Kosovë janë jashtëzakonisht të mëdha dhe mund të shohim çdo ditë qytetarët i blejnë barnat me çmimet të ndryshme në vende të ndryshme, por mënyra se si mund të bëhet kjo mendoj se është zgjedhur rruga e gabuar dhe rezultatet kanë me qenë të mira. Unë mendoj që çelësi i gjithë kësaj është funksionalizimi i Fondit i Sigurimeve Shëndetësore i cili do ta kishte nën kontroll çmimin e barnave për barnatore fillimisht dhe çmimin e shërbimeve për institucionet shëndetësore që i kontrakton. Aktualisht veprimet e tilla nuk na japin shumë shpresë se mund të ketë ndryshim….Nuk presim që ky ligj mund të funksionoj aq më tepër kur Komisioni që cakton çmimin e barnave e kemi parë ka dhënë çmime abuzive dhe për mua aty e tutje ka humbur kredibiliteti. Me anulimin e Ministrisë së Shëndetësisë është dashur ta anuloj edhe vendimin për krijimin e këtij komisioni, dhe ata të shkarkohen komplet. Ata njerëz nuk mund të prodhojnë më çmime reale të barnave”, theksoi Kodra.

Dështim dhe për qëllime elektorale është vlerësuar ligji për unifikimin e çmimit të barnave nga deputetët opozitar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu u shpeh se përkundër që kanë kaluar gati 1 vit prej që është dashur ky ligj në fuqi ende nuk ka listë të çmimit të barnave.

“Është një ligj të cilin qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë përpjekje me e përdorë për qëllime elektorale dhe propagandistike. Kanë kaluar më shumë se një vit prej hyrjes në fuqi të këtij ligji ende nuk kemi listë të çmimit të barnave edhe një listë e cila u propozua muaj më parë u shfuqizua dhe u bë mirë që u shfuqizua sepse me atë propozim ishin paraparë rritje e çmimit të barnave derisa ishte premtuar ulje e çmimit të barnave. Pra, është një dështim për mua i qëllimshëm nga ana e ministrisë së Shëndetësisë për të vazhduar abuzimi me barna i cili po vazhdon edhe sot dhe është një dështim i qeverisë sa i përket unifikimit të çmimit të barnave dhe uljes së çmimit të barnave sepse barnat sot janë edhe më të shtrenjta por edhe me çmime të ndryshme”, theksoi Haxhiu.

Ligji që parashihte rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat është miratuar në korrik të vitit të kaluar.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka premtuar se me këtë ligj do të ketë çmime më të ultë të barnave.

E gjatë muajit maj të këtij viti ishte publikuar lista preliminare e çmimit të produkteve medicinale, por më pas ishte anuluar me arsyetimin se ka pas rritje të çmimit të 100 barnave.

Në vitin 2019 Ministria e Shëndetësisë kishte nxjerrë një udhëzim administrative për unifikim të çmimit të barnave, por që nuk gjeti zbatim.