Ligji Ndërkombëtar në favor të Julian Assange

Për rastin e tij ka reaguar paneli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit Julian Assange po mbahet në mënyrë arbitrare në Londër, në shkelje të Ligjit Ndërkombëtar.

Lajme

05/02/2016 10:50

 

Dikush edhe mund ta ketë harruar, por Julian Assange, edne po qëndron i strehuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Për rastin e tij ka reaguar paneli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit Julian Assange po mbahet në mënyrë arbitrare në Londër, në shkelje të Ligjit Ndërkombëtar.

Megjithatë, vendimi i cili pritet të  publikohet sot (e premte)  nga Grupi Punues i OKB-së, mbi ndalimin e tij arbitrar,  nuk është i detyrueshëm në Britani, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Krijuesi i faqes ‘Wikileaks’ e cila publikoi miliona dokumente sekrete ushtarake dhe të komunikimit diplomatik amerikan me shtete të ndryshme, ka  disa vjet që nuk guxon të dalë nga ajo ndërtesë.

Arsyeja është se ai po kërkohet nga Suedia si i dyshuar për një rast përdhunimi, por gjithashtu edhe nga SHBA-të për shkak të publikimit të dokumnetve sekrete dhe miliona kabllogrameve të ndryshme.

Assange ka thënë se ka frikë se Suedia do ta ekstradonte në SHBA. Ndaj tij është lëshuar një urdhër arrest në vitin 2012 dhe nga ajo kohë ai po qëndron i strehuar në Ambasadën e Ekuadorit.

Policia britanike e ka bërë të qartë se në “rast se Assange e lëshon Ambasadën, atëherë ata do të bëjnë cdo përpjekje për ta arrestuar atë”.

Një ditë më parë, Assange ka shkruar në llogarinë e tij në twitter se: “Nëse paneli i Kombeve të Bashkuara deklaron se unë e kam humbur rastin, atëherë do të dorëzohem dhe do të pranoj arrestimin tim”.

Sidoqoftë, meqë paneli i OKB-së pritet t’i japë atij të drejtë, atëherë saga ‘Assange’ pritet të vazhdojë./lajmi.net