Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Ligji i ri për Pandeminë: Policia e Kosovës kërkon autorizim që të shqiptojë gjoba

17:53 | 10 Gusht 2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19. Përpos deputetëve, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, të pranishëm ishin edhe drejtori i Policisë së Kosovës, IKSHPK-së, SHSKUK-së dhe pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shërbimit mjekësor, si dhe përfaqësues të organizatave të tjera të shoqërisë civile.

Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj ka thënë se për shkak të situatës të cilës ndodhet Kosova me pandeminë Covid-19, shqyrtimi i dytë i projektligji për pandeminë do të bëhet me 14 gusht, me procedurë të përshpejtuar.

Prandaj, ajo shtoi se derimë 13 gusht si komision duhet të paraqesin raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë ne seancën plenare.

“Për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova me pandeminë COVID-19, dhe nevojës imediate që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, Kuvendi ka vendosur që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, qe do të thotë shmangien nga afatet procedurale te parapara me rregulloren e Kuvendit, dhe tani është vendosë që ky shqyrtim të bëhet me 14 gusht, në seancën e radhës. Me këtë rast, ne si Komision funksional për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale duhet që deri me 13 gusht të paraqesim raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë ne seancë plenare”, u shpreh ajo.

Reshitaj theksoi se projektligji ka nevojë për plotësim-ndryshim që në emërtimin e tij, duke kërkuar nga të pranishmit propozime konkrete, të cilat do ta pasuronin më tej përmbajtjen e projektligjit.

Ajo u shpreh se ky projektligj nuk do të duhet quajtur “Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës”, por do duhet quajtur “Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, sepse i njëjti do të kishte pasur mundësi të aplikohej kurdo që vendi ballafaqohet me pandeminë.

Reshitaj thotë se është propozuar që në këtë ligj të futen edhe dispozita të tjera, ku është edhe ajo për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 për të gjithë qytetarët.

“Në këtë projektligj nuk është paraparë kompensimi shtesë financiar për të gjithë profesionistët mjekësorë, prandaj kam kërkuar të futet nen i ri i cili do të rregullojë kompensimin shtesë financiar për të gjithë profesionistët shëndetësorë, e në veçanti për ata të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit me COVID-19. Do të kërkojmë që në kompensim shtesë financiar të futen edhe Policia e Kosovës dhe inspektorati, të gjitha inspektoratet të cilat kanë qenë dhe janë angazhuar me pandeminë COVID-19. Po ashtu kam kërkuar që në këtë projektligj të rregullohet edhe furnizimi me pajisje esenciale për të gjithë qytetarët për aq kohë sa janë të domosdoshëm përdorimi i tyre. Në këtë projektligj, duhet lejuar blerjet emergjente, respiratorët, testet dhe oksigjeno terapitë. Me këtë projektligj duhet të rregullohet edhe mobilizimi i personelit mjekësore në vend për gjatë kohës se pandemisë, përfshirë edhe studentet e Fakultetit të Mjekësisë te cilët janë të përgatitur për të dhënë kontributin e tyre. Në këtë projektligj duhet paraparë që në momentin që do të kemi vaksinat kundër COVID-19, institucionet e vendit do të sigurojnë aq vaksina, sa do të jenë të nevojshme për të gjithë qytetaret e vendit. Po ashtu në këtë projektligj, duhet rregulluar që në rast nevoje, përgjatë pandemisë, institucionet private shëndetësore të shfrytëzohen për nevoja shtetërore”, vijoi Reshitaj.

Në lidhje me çështjen e emrit, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHKUK-së, Valbon Krasniqi, deklaroi se sa i përket emrit, më e preferueshme do të ishte të quhej “Ligji për menaxhimin e pandemisë Covid”.

“Nuk e di aspektin ligjor, pasi ka kaluar në lexim të parë, por shumë më shumë do të preferoja fjalën ‘Ligji për menaxhimin e pandemisë Covid’, dhe pastaj tek përkufizimet të shtohet fjala ‘menaxhim’ që do të nënkuptonte të gjitha masat që do të ndërmerren me qëllim të identifikimit të hershëm të parandalimit, diagnostikimit, trajtimit dhe menaxhimit klinik te rasteve me Covid-19”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i IKSHPK-së, Naser Ramadani u shpreh i gëzuar që ky projektligj po diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, ai kërkoi që në këtë projektligj duhet të rregullohet edhe dinjiteti i punëtorëve shëndetësorë. Sipas tij, ata nuk respektohen mjaftueshëm për punën e bërë.

“Une do ta kisha propozuar që në këtë ligj të qëndronte edhe dinjiteti i punëtorëve shëndetësorë. Nëse dinjiteti nuk futet në ligj, atëherë për mua ligji do të ishte i mangët, për punëtorët shëndetësorë publik në veçanti do të ishte i mangët….Jemi shumë të pakënaqur, se dinjiteti i punëtoreve shëndetësorë është i përdhosur. Praktikisht, e vetmja në pandemi ka dal në sipërfaqe të jetë i përdhosur, i gjithë neve, prej meje e deri tek personi i fundit shëndetësor. Ne jemi të përdhosur prej të gjitha niveleve, prej qytetarit të thjeshtë e deri tek institucionet”, thotë ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka propozuar që ky ligj t’i japë kompetencat vartësve të tij që të shqiptojnë gjoba.

Duke kujtuar aktualisht problemet me maskat ose distancën fizike, Qalaj u shpreh se Policia e Kosovës duhet të jetë e autorizuar për gjobitje atëherë kur ka nevojë.

“Ky ligj, përveç që do të përcakton masat, do të përcaktohej edhe dhënia e autoritetit organeve kompetente për gjobitjen që unë e konsideroj, që ky ligj te ketë edhe gjobitjen administrative. Këto gjobitje janë shumë të rëndësishme për qytetaret të cilët i hasin në rrugë për mos mbajtjen e maskës. Këto raste nuk mund t’i trajtojmë ndryshe, përveç si shkelje administrative, e po ashtu mbajtja e distancës dhe disa veprave të tjera, dhe nuk mjafton gjithsesi duhet të mandatohet Policia e Kosovës që të jetë e autorizuar për gjobitje në rast se ka nevojë ndaj personave që nuk respektojnë masat e caktuara nga qeveria, nga Ministria e Shëndetësisë, rekomandimet nga Institute Kombëtar i Shëndetit Publik, e kështu me radhë”, thote ai.