Ligji i ri në Shqipëri, kush nuk paguan energjinë i merret shtëpia

Ata që kanë blerë shtëpi apo banesë me fatura të papaguara të energjisë që shkojnë mbi 300 mijë lekë (2500 euro), atëherë shteti ka të drejtë ta sekuestrojë pronën në rast se nuk paguhen detyrimet.

Lajme

24/04/2015 15:30

Ky është ligji më i ri i energjisë që po diskutohet aktualisht në Shqipëri, dhe që ka hapur shumë debate për kaosin që do të shkaktonte në rast se miratohet.

Më saktë ka kundërshtime të forta nga opozita dhe ekspertët për një nen të tij, ku thuhet se në rast se nuk paguhet energjia dhe borxhi kap vlerën e 300 mijë lekëve të reja, atëherë shteti ka të drejtë t’i sekuestrojë qytetarit shtëpinë apo prona të tjerë në emër të tij.

I pyetur sot në media për këtë nen, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi ishte pjesë e forumit për thithjen e investimeve të huaja, tha se fatura e energjisë është titull ekzekutiv dhe titujt ekzekutiv kanë mënyra se si ekzekutohen, përfshirë edhe vendosja e barrës hipotekore.

“Ju e dini shumë mirë se fatura si titull ekzekutiv është vendosur shumë vite më parë, nuk është vendosur tani. Ka qenë titull ekzekutiv dhe do të jetë. Megjithatë, për sqarim të publikut, unë e thashë dje në Parlament, dua t’u them se ka një element që është shumë interesant: po flitet për siguri prone, prona do të jetë e pastër. Që prona të jetë e pastër duhet të jetë e shlyer nga të gjitha detyrimet. Çfarë ndodh sot? Ka shumë konsumatorë të cilët marrin një pronë dhe e kanë me detyrime të mëdha nga të tjerët, detyrime nga mospagesa e energjisë dhe aktualisht kanë problem për lidhjen e energjisë. Dikush duhet ta paguaj këtë,” tha Gjiknuri.

Më tej ministri tha se ky ligj do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre. Kur duan të shesin pronën, ta kenë të pastër dhe t’i kenë shlyer të gjitha detyrimet.

“Nuk është normale që do të marrësh para nga prona e shitur, por nuk do të paguash detyrimet që ke ndaj utiliteteve siç është energjia elektrike që është jetësore. E thënë thjesht, dhe për ta bërë të qartë, kjo procedurë bën fjalë për vlera 300 mijë lekë të reja që ramë dakord dhe është një procedurë të cilën e ka Kodi Procedurës Civile. Ka vetëm një ndryshim që sjell ky ligj, që operatori mund ta kërkojë vetë vendosjen e barrës, pastaj ekzekutimi, çdo gjë tjetër bëhet sipas procedurave që janë në Kodin e Procedurës Civile. Kjo çështje është tani në parlament dhe është duke u diskutuar. Shpresoj që ky ligj të kalojë. Por thelbi i këtij ligji nuk është ky nen. Ligji krijon platformën e duhur për të implementuar të gjithë ato reforma aq të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe për vendin tonë,” tha ministri Gjiknuri.

Ligji u diskutua dje në Kuvend, por ende nuk është miratuar, pasi nuk gjeti konsensusin mes palëve, transmeton KosovaPress.