Ligj për parandalimin e shkuarjes në luftëra

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, thotë se ai është pro të krijimit të një ligji që do të ndalonte shkuarjen e kosovarëve nëpër luftëra të huaja. Ai thotë se numri i kosovarëve në Siri sillet rreth 20 deri 30.

Lajme

10/01/2014 16:53

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur se për të parandaluar kosovarët të marrin pjesë në luftën e brendshme të Sirisë, do të duhej një ndërhyrje në Kodin Penal të Kosovës.

Në ditët kur po vijnë lajme të këqija për fatin e kosovarëve që kanë shkuar në këtë shtet për të luftuar, Hoxhaj në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë” është shprehur se fenomeni i pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës “është i izoluar, i vogël” dhe se numri i kosovarëve të përfshirë atje nuk është më i madh se 30.

“E kemi përcjellë këtë fenomen që nga fillimi dhe qasja jonë ka qenë që realisht të parandalojmë lëvizje të tilla të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të njëjtën kohë kam sugjeruar para disa muajsh që të shihet mundësia e marrjes së masave ligjore të ndryshimeve të ligjeve të caktuara, apo të Kodit Penal, se si të parandalohet një pjesëmarrje e tillë”.

“Fenomeni i pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës është i izoluar, i vogël, dhe sikurse të gjitha shtetet tjera të Bashkimit Evropian po ashtu edhe disa vende ballkanike, mjerisht ka edhe nga Kosova”.

“Mund të jetë një numër shumë-shumë më i vogël, rreth 20 deri në 30 persona, të cilët aktualisht mund të jenë atje”.

“Ne kemi informata të sakta, gjegjësisht institucionet tjera të sigurisë kanë informata më të plota sesa që mund të ketë Ministria e Punëve të Jashtme”.

Ministri Hoxhaj thotë se ai ka qenë i pari që ka iniciuar që një ligj të bëhet për të parandaluar këtë fenomen. Hoxha shton se masat për këtë gjë i takojnë sektorëve të tjerë të amandamentojnë një ligj të tillë.

“Prej fillimit të paraqitjes së fenomenit të tillë, unë, si ministër, kam qenë shumë aktiv që të bisedoj me kolegët e mi dhe që t’i informoj ata se është e domosdoshme që të merren masa dhe të parandalohet një fenomen i tillë përmes amendamentimit të ligjeve të caktuara”.

“Se kur do të ndodhë, iu takon më shumë ministrive tjera që ta japin fjalën e tyre dhe mënyrën se si duhet të draftohen, qoftë Kodi ,penal qoftë ligjet e tjera – iu takon sektorëve të tjerë që ta japin fjalën e tyre”.

Duke marr shkas nga ngjarjet e fundit, ku disa shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën në Siri, Ministri Hoxhaj thotë se ekziston nj vullnet politik për të krijuar një ligj i cili do të parandalonte shkuarjen në luftra të qytetarëve të Kosovës.

Ai përmend disa shembuj se si shtetet e tjera e kanë rregulluar këtë gjë. Ndërkaq shprehet se nëse ky fenomen shpreh kërcënim, Enver Hoxhaj thotë se më shumë kjo çështje i përket Ministrisë së Punëve të brendshme.

“Ajo, për të cilën ne kemi nevojë, është përtej situatës aktuale, rregullime ligjore që parandalojnë pjesëmarrjen e një qytetari të Kosovës në pjesë të ndryshme të botës në aktivitete luftarake dhe në këtë drejtim ka modele të ndryshme në pjesën perëndimore të botës”.

“Ka vende ku qytetarët e tillë ndiqen penalisht. Ka vende ku qytetarëve të tillë u merret shtetësia”

“Ekziston një vullnet politik dhe një gatishmëri që të jemi pranë institucioneve të tjera”.

“Edhe deklaratat e mia të fundit se Kosova nuk ka nevojë të eksportojë, e as të importojë islam – ne duhet ta kultivojmë dhe ruajmë islamin tradicional dhe duhet të krenohemi me vlerat tona dhe me identitetin tonë – kanë të bëjnë me fenomenin e njëjtë”.

“Çështjet e kërcënimit dhe sigurisë i identifikojnë sektorët e tjerë, jo ministria e Jashtme”.

“I takon Ministrisë së Brendshme dhe agjencive përkatëse, më se paku ministrit të jashtëm, i cili nuk ka pamje të plotë për fenomene të tilla” tha Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj për Radion “Evropa e Lirë”.