Ligj i paqartë

Komisioni për Punë të Jashtme e ka quajtur si “të mangët dhe të paqartë” Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare.

Lajme

11/11/2013 14:54

Komisioni për Punë të Jashtme ka diskutuar sot raportin vlerësues të zbatimit të Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.

Anëtarët e këtij Komisioni këtë ligj e kanë quajtur si “të paqartë dhe të mangët”.

Nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni, ka thënë se pavarësisht mangësive të këtij ligji, grupi punues është duke punuar që raportin t`ia prezantojë Komisionit me kohë.

“Ligji ynë është ashtu siç është ka mangësitë e veta që derivohen edhe nga dispozitat kushtetuese jo të qarta në disa aspekte dhe mendoj që do të jetë më e ndërlikuar mbikëqyrja e zbatimit të këtij ligji”.

“Ne kemi bërë përpjeke që t`i qasemi në mënyrë konstruktive dhe të evitojmë çfarëdo politizimi në këtë fushë. Kështu kemi pas vepruar edhe në një rast tjetër”.

“Mendoj që me këtë qasje megjithatë brenda afatit të paracaktuar ne do të arrijmë si grup punues ta përgatisim për t`ia prezantuar Komisionit, dhe Komisioni pastaj ta miratojë raportin për t`ia paraqitur Kuvendit”.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se ligji është i mangët dhe i paqartë sidomos në nenet gjashtë, tetë dhe dhjetë, dispozita që kanë të bëjnë me të drejtën e negocimit të marrëveshjeve, nënshkrimin dhe procedurat e  ratifikimit të tyre.

“Ligji është shumë i paqartë në atë se kush propozon dhe kush i dorëzon Kuvendit një marrëveshje ndërkombëtare e cila është negociuar për t`u ratifikuar”.

“Pengesa kryesore në këtë vlerësim kryesisht kanë qenë mos përgjigjet në kohë nga ana e ministrive. Në këtë rast Ministria e Punëve të Jashtme nuk i është përgjigjur asnjërës prej pyetjeve dhe sqarimeve që ne i kemi kërkuar”.

Fokusimi në pesë marrëveshje, tri prej tyre që kanë derivuar nga dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshja e 19 prillit, marrëveshja mbi IBM dhe marrëveshja për Energji dhe Telekom.

Skënder Hyseni, anëtar tjetër i këtij Komisioni, ka thënë se ligji është i mirë por nuk po zbatohet në praktikë.

“Problemi me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare është zbatimi përkatësisht moszbatimi I ligjit e jo vetë ligji si i tillë ashtu si me ndonjë të metë”.

“Ky ligj për marrëveshjet ndërkombëtare ekzistues në Kosovë, unë do të thosha është i mirë në 95% të rasteve ka hapësirë për modifikime dhe përmirësime. Unë jam personalisht i pakënaqur me zbatimin e këtij ligji”.

Kryetari i këtij Komisioni, Albin Kurti, ka folur edhe për raportin e Progresit, duke thënë Komisioni Europian në këtë raport e ka paraqitur Kosovën në nivel më të lartë të të arriturave sesa që qëndron në realitet.