Liga Arabe, takim urgjent

Durimit të atyre që janë përballur nga afër me tmerrin e Aleppos i ka ardhur fundi. Presidenti i Këshillit për lindjen e Aleppos, të kontrolluar nga kundërshtarët e regjimit, thotë se udhëheqësit e BE-së të mbledhur në Bruksel nuk morën asnjë angazhim konkret për të përmbushur kërkesën e tij për ndihmë, në një kohë kur nevojiten vepra e jo fjalë, sepse fjalët nuk shpëtojnë dot jetë njerëzish.

Bota

15/12/2016 20:29

“Nuk kam ende asnjë përgjigje për kërkesat e mia, të cilat kanë premtuar t’i fusin në axhendën e bisedimeve të udhëheqësve europianë. Kjo është vërtet mundësia e fundit për të shpëtuar çfarë ka mbetur nga njerëzimi dhe nga vlerat njerëzore në Aleppo. Ne presim veprime, nuk presim deklarata për shtyp dhe takime”, tha Brita Hagi Hassan.

Vendet e Ligës Arabe mbajtën ndërkohë një takim urgjent, ku e dënuan ashpër mënyrën sesi qeveria e Bashar al-Assadit e trajtoi armëpushimin dhe evakuimin në Aleppo. Ata i bënë thirrje Kombeve të Bashkuara të lëvizin shpejt për t’i ofruar ndihmë popullit sirian.

Vet Assadi e cilësoi çlirimin e qytetit si një moment historik.

“Historia dhe koha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Por njerëzit, në fund nuk kujtojnë kohën, kujtojnë historinë. Mendoj se pas çlirimit të Aleppos, jo vetëm situata siriane, por edhe ajo rajonale e ndërkombëtare kanë ndryshuar shumë”, tha Bashar al-Assad, president i Sirisë.

Avancimi i Assadit u bë i pandalshëm, për sa kohë mbështetej nga aleatët e tij, Rusia dhe Irani. Bota i sheh duarlidhur masakrat në Aleppo e pjesë të tjera të Sirisë, e diplomacia – thotë analisti gjerman Rainer Sollich, – fsheh në këtë rast në vetvete një pafuqi të madhe, e tregoi se askush nuk i ndihmon civilët që janë në hall!