Lidhja për Prizrenin
Zafir Berisha vendos ta mbështesë Eqrem Kryeziun në garën për Kryetar të Prizrenit. Kryeziu konfirmon për lajmi.net se në orën 17:00 zyrtarizohet koalicioni. Kjo e bën garën për Prizrenin të paparashikueshme.

Lajme
(E plotësuar 18:40)
Eqrem Kryeziu dhe Zafir Berisha, në një ceremoni rasti, kanë firmosur kaolicionin qeveritar, të cilin ata e kanë quajtur për të mirën e Prizrenit, ndërsa kanë lënë mbrapa armiqësitë e tyre të vjetra.
Të dy pas zyrtarizimit të marrëveshjes janë shprehur të bindur në fitoren e koaliconit në balotazhin e 1 dhjetorit.
Sipas tyre, me 1 dhjetor të gjithë qytetarët do të festojnë fitoren e ndryshimit
Eqrem Kryeziu ka falënderuar Zafir Berishën për lidhjen e këtij koaliconi, raporton PrizrenPress.
“Sipas vlerësimeve tona ky koalicion do të jetë për të mirën e qytetarëve dhe të Prizrenit”.
“Shpresoj se këtij koalicioni do t’i bashkëngjiten edhe partitë e tjera politike.
Zafir Berisha ndërkaq tha se ky koalicion do të ndryshojë gjendjen e keqe në Prizren.
“Konform votës së qytetarëve kemi ardhur në përfundim që rrugëtimin tonë të fitores ta vazhdojmë me LDK’në”.
“Ky koalicion është logjik edhe pse për disa nuk tingëllon kështu. Ne nuk jemi pajtuar që situata e rëndë të vazhdojë edhe më tej në Prizren”.
Berisha tha se kishte paraparë që sot të takohet edhe me Kandidatin e PDK’së për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Mujën, i cili nuk është realizuar.
“Nuk është bërë takimi sepse ai ka qenë në gjykatë. Unë kafe dhe koalicione nuk mund të bëjë në gjykata”.
Eqa dhe Zafa, siç njihen në Prizren, nuk kanë preferuar shumë të merren me akuzat dhe përplasjet që kanë pasur gjatë qeverisjes së pasluftës.
“Prej vitit 2007 kam avancuar në politikë. Edhe pse kam qenë kundërshtar i Kryeziut në atë kohë nuk e kam përdorur asnjëherë termin krim. Këtë term kam filluar të përdori kohën e fundit”.
Më tej Berisha tha se nuk do të merret me të kaluarën.
“Ky koalicion është lidhur për të ardhmen”.
Zafir Berisha, po ashtu, ka mohuar ndkimin e mundshëm të Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi për këtë marrëveshje.
“Limajn dhe Krasniqin i kam miq të vjetër. S’kanë lidhje ata me këtë punë, sepse shpatat janë rrahur për Prizren”.
_ _ _ _
Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, ka lidhur koalicion me kandidatin e LDK’së për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziun.
Kryeziu e ka konfirmuar vetë këtë marrëveshje për lajmi.net.
“Po, është arritur marrëveshja dhe presim ta nënshkruajmë sot në orën 17:00”, ka thënë Eqrem Kryeziu.
Edhe Zëdhënësi i BD’së, Leart Batusha, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes mes Berishës dhe Kryeziut.
“Këshilli Drejtues i BD’së ka marrë vendim që të vazhdojë angazhimin e vet politik në sfidën e radhës, në përputhje me votën që ka marrë më 3 nëntor me vullnetin e qytetarëve që në garën për balotazh më 1 dhjetor ta mbështesë Kandidatin për Kryetar të Prizrenit nga LDK, z.Eqrem Kryeziun”.
“Ky qëndrim erdhi pas konsultimeve të gjera të BD’së, simpantizantët dhe miqtë e BD’së, shoqërinë civile dhe intelektualët e Prizrenit, të cilët ishin që angazhimin politik dhe veprimet e BD’së të jenë në përputhje me qëndrimet publike që janë prezantuar nga Kryesia dhe ekipi i Bashkimit Demokratik”, ka thënë Batusha, raporton PrizrenPress.
Në raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja i PDK’së ka marrë 23.761 vota apo 36.95 për qind, Eqrem Kryeziu i LDK’së ka marrë 16.335 vota (25.40 për qind), ndërsa Zafir Kryeziu ka marrë 8.281 vota apo 12.88 për qind.
Ndërsa Ramadan Mujës tani i mbetet të llogarisë në votat e koalicionit AAK- LDD, kandidati i të cilit Lulzim Kabashi më 3 nëntor ka marrë 6.120 vota apo 9.52 për qind.