Lidhja e Prizrenit
Kryeministrat Erdogan, Thaçi e Rama folën në Prizren për “Miqësinë e Përjetshme” ndërmjet popujve tanë. U bëmë Një - \"Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi\".

Lajme
Tre Kryeministra, përfaqësues të tri shteteve dhe dy popujve, kanë shijuar një pasdite në Prizren.
Hashim Thaçi i Kosovës, Edi Rama i Shqipërisë dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, pas përurimit të terminalit të ri të Aeroportit “Adem Jashari”, janë nisur drejt qytetit jugor të Kosovës për të marrë pjesë në një tubim.
Erdogan është prezantuar në Prizren si “Njeriu i Madh i Turqisë” dhe “Miku i Madh i Shqiptarëve”.
Ai ka bërë thirrje që rajoni i Ballkanit ta lë të kaluarën mbrapa dhe të përqendrohet në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Masa ka shpërthyer në brohoritje, kur ai, me zë të lartë, e ka përmendur kontributin që shqiptarët kanë dhënë për ndërtimin e shtetit të Turqisë.
Ai iu referua shkrimtarit me prejardhje nga Kosova, Mehmet Akif Ersoy, i cili është autor i Himnit Kombëtar të Turqisë.
“Kemi një histori, kulturë dhe civilizim të përbashkët. Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi”, ka thënë Erdogan para masës së njerëzve të mbledhur në sheshin kryesor të Prizrenit.
“Ne jemi me ju dhe do të vazhdojmë të jemi me ju. Kosova do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj. Do të jemi Një”, ka thënë ai.
“Ju përcjell përshëndetjet e Turqisë dhe gjithë popullit turk”.
“Kosova është Atdheu ynë i dytë”.
“Sot, unë, bashkëshortja ime, vajza ime dhe gjithë biznesmenët që më shoqërojnë, e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë”.
“Gjuhët që flasim mund të jenë të ndryshme, kulturat mund të jenë të ndryshme, dialektet e sektet mund të jenë të ndryshme, por të gjithë i përkasim të njëjtës tokë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjithashtu i është referuar historisë për t’i përshkruar raportet shqiptaro- turke.
Më pas ka folur për rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët të popujve.
“Prizreni qëndron bashkë, i pandarë dhe i pandashëm, njësoj si Kosova që qëndron bashkë e pandarë dhe e pandashme, si një pasuri që pikërisht pse është kështu me objekte e kultura, përbën një vlerë që e bën Prizrenin një nga pasuritë më të çmuara të Kosovës dhe Ballkanit”.
“Nuk ka sfond më të bukur se sa historia e këtij qyteti dhe nuk ka vend më të bukur se sa sheshi i këtij qyteti për të qenë së bashku përfaqësues të Kosovës, Turqisë dhe Shqipërisë, ku tri shtete e dy popuj vëllezër ndërtojnë bashkë ardhmërinë e tyre”.
“Ndihem jashtëzakonisht i nderuar që jam në krah të dy miqve shumë të shtrenjtë dhe ndihem i privilegjuar që pata rastin të flas para jush”, ka thënë Edi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka uruar mirëseardhje mysafirëve nga Tirana dhe Stambolli, ndërsa ka thënë se “sot është një ditë e veçantë” për Prizrenin dhe për rajonin.
“Bashkëpunimi ynë ndërshtetëror, por edhe i popujve tanë, do të jetë gjithmonë i shkëlqyeshëm dhe vëllazëror”.
“Prizreni është qytet i tolerancës, mirëkuptimit dhe i zhvillimit. Marrëdhëniet tona me Turqinë do të jenë të përjetshme dhe të shkëlqyeshme”.
“Në Kosovë nuk do t’i ndajmë qytetarët në etni. Të gjithë jemi kosovarë. Kosova është Atdheu i të gjithëve. Po ndërtojmë autostrada të reja, aeroporte të reja, po ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën e mundësive, Kosovën europiane”, është shprehur Kryeministri i Kosovës.
Por, fjalimi i Ramadan Mujës, që pret mbështetjen e komuniteti turk për një mandat tjetër në krye të Prizrenit, nuk iu ka shmangur referencave zgjedhore.
“Ne në Prizren jemi të gjithë të përkushtuar për ecjen së bashku drejt sfidave dhe sukseseve të reja. Do të ecim të gjithë së bashku drejt Prizrenit europian ku të gjithë do të ndjehen si në shtëpinë e tyre. Do të angazhohemi fuqishëm që Prizreni të mbetet qyteti kryesor i Kosovës”.