Liderëve shqiptarë në Maqedoni u pëlqen roli i vasalit
Kim Mehmeti thotë se drejtuesve të partive shqiptare në Maqedoni, u pëlqen roli i vasalit, ngaqë kështu ata i realizojnë interesat vetjake. Sipas tij, kështu ata bëjnë tregti me kërkesat kolektive të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.
Lajme
Publicisti i njohur nga Shkupi, Kim Mehmeti, shprehet kritik ndaj liderëve të partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Ai thotë se drejtuesve të partive shqiptare në Maqedoni, u pëlqen roli i vasalit, ngaqë kështu ata i realizojnë interesat vetjake.
“Kështu ata bëjnë tregti me kërkesat kolektive të shqiptarëve të këtushëm”.
“Sikur të ishte ndryshe, ata qëmoti do e shihnin njërën nga rrugët që të çojnë drejt cakut që të bëhesh bashkësundues e bashkëdrejtues i shtetit: do mjaftonte t’i bojkotosh zgjedhjet presidenciale, e shtetin ta lësh pa president legjitim”.
“Boll do ishte njëherë të vetme të mos pranosh pjesëmarrje në qeveri pa u bërë ndryshimet e duhura kushtetuese, e vendin ta lësh pa qeveri legjitime, me çka të gjithë maqedonasit, një herë e mirë do e kuptonin se pa shtyllën shqiptare, ky shtet rrëzohet si kullë prej zalli!”.
“Pas konfliktit të 2001, si asnjëherë më parë, shqiptarët e Maqedonisë kishin mundësi që njëherë e mirë të faktorizoheshin e ta kthenin dinjitetin e tyre të munguar politik! Por, prej se ekziston ky shtet, asnjëherë më parë, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pasur përfaqësues kaq inferior e kaq të paaftë, si këta të sotmit!”.
“Dhe duhet pranuara: ata janë aty ku janë ngaqë ne nuk mund ta besonim se edhe vizioni i ‘heronjve’ që i lindi konflikti i 2001, nuk shkonte më larg cakut që me çdo kusht të jesh sa ma pranë grazhdit që ta ofron pushteti!”.